Deklarohet i pafajshëm i akuzuari që kanosi nipin për çështje pronësore
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë këtë të enjte është deklaruar i pafajshëm B.A., i akuzuar për kanosjen e nipit të tij, S.A.
Deklarimin rreth fajësisë i akuzuari B.A. e ka bërë pasi prokurorja Arta Cukaj lexoi aktakuzën.
Gjyqtari i rastit, Albert Haliti, e njoftoi të akuzuarin për mundësinë e paraqitjes së kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 20.09.2024, B.A., më 18 korrik 2024, me qëllim frikësimi, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin S.A., për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth një parcele tokësore, ku sipas të dëmtuarit, i pandehuri (xhaxhai) këtë tokë e ka përkthyer në emër të tij pa dijeninë e familjarëve të të dëmtuarit.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri e ka kanosur të dëmtuarin me fjalët “ky livadh don me ia hangër kryt dikunja”, me çka tek i dëmtuari është shfaqur ndjenja e pasigurisë për jetë.
Për këtë, B.A. akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga Neni 181, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi