Tragjedi në Gjakovë, punëtori 29-vjeçar vdes pasi dyshohet se ra nga një ndërtesë e lartë
Një punëtor ka vdekur të enjten pasdite derisa ishte duke punuar në një objekt në rrugën “Pjetër Bogdani” në Gjakovë.
Sipas Policisë, rreth orës 17:00 janë njoftuar se një mashkull i moshës madhore ka rënë nga një ndërtesë e lartë gjatë kohës sa ishte në punë.
Njësitet policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se viktima ishte pa shenja jete.
Lajmin e ka konfirmuar Vlera Krasniqi nga Zyra për Informim e Policisë në Gjakovë, e cila bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, ndërsa lidhur me rastin një person po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.
“Rreth orës 17:00, Policia është njoftuar se një person mashkull, i moshës madhore ka rënë nga një ndërtesë e lartë gjatë kohës sa ishte duke punuar në rrugën “Pjetër Bogdani” në Gjakovë. Njësitet përkatëse policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit. Lidhur me rastin, një person është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, përderisa janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Krasniqi.
Hetimet për rrethanat e rastit janë duke vazhduar. /telegrafi