Forcohet kujdesi shëndetësor në burgje përmes standardeve të reja operative
Foto: Laura Hasani

Forcohet kujdesi shëndetësor në burgje përmes standardeve të reja operative

Kronika March 25, 2026 - 17:02

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, janë zhvilluar Procedura Standarde Operative gjithëpërfshirëse për Departamentin e Shëndetit të Burgjeve, duke vendosur për herë të parë një kornizë të strukturuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor ndaj personave të privuar nga liria.

Sipas drejtorit të këtij departamenti, Milazim Gjocaj, këto procedura përfshijnë edhe shërbimet e shëndetit mendor dhe janë të harmonizuara me etikën mjekësore dhe standardet profesionale ndërkombëtare.

Sipas tij, ato synojnë të qartësojnë rolet dhe përgjegjësitë e stafit shëndetësor, si dhe të forcojnë bashkëpunimin me shërbimet korrektuese përmes një qasjeje më të strukturuar dhe shumëdisiplinore.

“Në të njëjtën kohë, është punuar edhe në integrimin praktik të parimeve të Protokollit të Stambollit, duke përfshirë standardet kyçe për identifikimin, dokumentimin dhe raportimin e rasteve të keqtrajtimit”, deklaroi Gjocaj.

Sipas tij, kjo ka ndikuar në forcimin e mekanizmave mbrojtës dhe në përmirësimin e reagimit profesional.

Këto zhvillime konsiderohen hap i rëndësishëm drejt një sistemi më të avancuar dhe të bazuar në të drejta për trajtimin dhe kujdesin shëndetësor të personave në burgje. /rtk

Image