Aktakuzë ndaj tetë personave për ryshfet, keqpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh

Aktakuzë ndaj tetë personave për ryshfet, keqpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh

Kronika March 25, 2026 - 13:29

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, pas përfundimit të hetimeve lidhur me disa vepra penale, duke përfshirë pranimin e ryshfetit në sektorin privat, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe falsifikimin e dokumenteve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit F.G. dhe M.G. dyshohen për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”. Ndërkohë, S.B., R.M. dhe H.N. akuzohen për “Falsifikim të dokumentit”, kurse B.H., S.B. dhe B.G. për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit”.

Hetimet kanë zbuluar se i pandehuri F.G., në cilësinë e menaxherit në një poligon qitjeje, ka pranuar 600 euro ryshfet për t’i siguruar një kandidati certifikatë për përdorim të armëve të zjarrit pa ndjekur trajnimin dhe pa kaluar testet përkatëse.

Në këtë skemë, sipas aktakuzës, i pandehuri M.G. ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme duke mundësuar pajisjen e kandidatëve me certifikata pa përmbushur kriteret ligjore.

Ndërkaq, tre të pandehurit tjerë, në cilësinë e instruktorëve në një poligon në Prizren, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente zyrtare duke nënshkruar certifikata për persona që nuk kishin ndjekur trajnimet teorike dhe praktike për përdorimin e armëve.

Po ashtu, e pandehura B.G., si administratore, akuzohet se ka plotësuar dhe nënshkruar dokumente në emër të kandidatëve pa praninë e tyre, duke falsifikuar të dhënat zyrtare.

Prokuroria ka bërë të ditur se me këto veprime, të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët në Republikën e Kosovës.

Rasti pritet të trajtohet në gjykatë në procedurë të rregullt penale. /Zëri