“Hyri në dasmë dhe kërcënoi me vrasje”, kërkohet paraburgim ndaj personit që dyshohet se kanosi dëshmitarin e rastit “Brezovica”
Prokuroria Themelore në Ferizaj bën të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit R.K., komuna Skenderaj, për shkak të dyshimit të veprës penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas një njoftimi për media, ngjarja ka ndodhur më 21 mars në një restorant në Fushë-Kosovë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datë më 21 mars 2026, në restorantin ‘Mero’, i cili gjendet në fshatin Uglar, komuna – Fushë-Kosovë, i pandehuri R.K. ka kanosur seriozisht se do ta vrasë të dëmtuarin A.Q., i cili është dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si ‘Brezovica’, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ka qenë në një dasmë me familjarë, i pandehuri i cili nuk ishte mysafirë në këtë dasmë ka hyrë në tualet pas tij dhe ka kanosur me fjalët se ‘vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lanë’, i cili kërcënim ka shkaktuar ankth dhe frikë tek i dëmtuari i cili në procedurën penale në rastin ‘Brezovica’ ka dhënë dëshmi në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues kundër disa të pandehurve e në mesin e të cilit ka qenë edhe i pandehuri R.K., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Shmangia nga tatimi’. Andaj, sipas Prokurorisë, i njëjti me këto veprime do të kryente veprën penale ‘Frikësimi gjatë procedurës penale’, nga Neni 387 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.