Dyshohet se shtiu disa herë në drejtim të viktimës, kërkohet paraburgimi i personit që kreu vrasjen në Gjakovë

Dyshohet se shtiu disa herë në drejtim të viktimës, kërkohet paraburgimi i personit që kreu vrasjen në Gjakovë

Kronika March 18, 2026 - 09:11

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit N.Z., i dyshuar për vrasjen e rëndë që ndodhi të hënën në Gjakovë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari më 16 mars, rreth orës 05:20, në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në një lokal në Gjakovë dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë të vdekur një person dhe duke rrezikuar jetën e të tjerëve.

“I pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B. duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E.M. dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje në lokal, ku i dyshuari ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës.

“Me armën – pistoletë e llojit TT me kalibër 7.62x25 mm, i pandehuri ka shtënë disa herë në drejtim të tani të ndjerit, i cili si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, thuhet më tej.

Si pasojë e të shtënave, E.M. ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Gjakovë, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

“I pandehuri me këto veprime ngarkohet për veprën penale ‘Vrasja e rëndë’, si dhe për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftim.

I dyshuari aktualisht ndodhet në ndalim 48-orësh, ndërsa Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë caktimin e paraburgimit.