Tragjedia në Vjenë, gjithçka që dihet për aksidentin që ua mori jetën kosovarëve
Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi ka ndodhur dje rreth orës 14:15 në distriktin Alsergrund në Vjenë - Austri, ku shembja e një skelë ndërtimi rezultoi fatale për katër punëtorë.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë punimeve të betonit një pjesë e konstruksionit u rrëzua, duke zënë nën rrënoja pesë punëtorë.
Shërbimet emergjente arritën të shpëtojnë një person, i cili u dërgua në spital me lëndime, ndërsa katër të tjerë u nxorën pa shenja jete.
Fillimisht u raportua se katër shqiptarë nga Kosova dyshohet se kanë humbur jetën në një kantier ndërtimi në Vjenë, nga rrëzimi i skelave, mirëpo Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar se janë dy kosovarë në mesin e viktimave, Pajtim Bajrami dhe Asllan Misliu.
“Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja. Deri tani, është konfirmuar zyrtarisht se dy nga viktimat janë shtetas të Republikës së Kosovës: Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977)”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake për zbardhjen e plotë të rastit dhe mbështetjen e familjarëve.
Ndërkohë, autoritetet në Austri kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, të cilat ende mbeten të paqarta.
Ndërkohë, një punëtor rreth 45 vjeç është nxjerrë i gjallë nga rrënojat pas një operacioni të vështirë shpëtimi.
Ai ishte i bllokuar nën strukturat e shembura dhe ka pësuar lëndime të rënda.
I njëjti është transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë dhe po trajtohet nga ekipet mjekësore.
Punëtori i cili u dërgua menjëherë në spital ka lëndime në kokë, shtyllën kurrizore dhe në krah, dhe është vendosur në dhomën intensive.