Policia thotë se motivet e vrasjes në Gjakovë ende nuk dihen, i dyshuari në arrati
Policia në Gjakovë ka mbajtur një konferencë për media për të dhënë detaje mbi ngjarjen tragjike që ndodhi mëngjesin e së hënës.
Zëdhënësi Sheremet Elezaj tha se dy burra janë qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë e lëndimeve njëri nga ta ka vdekur në vendngjarje, raporton Zeri.info.
“Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitet policore përkatëse si dhe është njoftuar prokurori dhe është iniciuar rasti si ‘Vrasje e rëndë’ dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, u theksua gjatë konferencës.
Elezaj tha se i dyshuari gjendet ende në arrati dhe se po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Po ashtu theksoi se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja dhe një armë e ftohtë (thikë).
Ai theksoi se motivet ende janë të panjohura dhe se kjo është vetëm faza fillestare e mbledhjes së dëshmive. /Zëri