Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për dy të dyshuar për fajde në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve, me inicialet E.K. dhe A.K., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dyshohet se që nga viti 2021 e në vazhdim, i dyshuari E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës me inicialet B.Ç., duke i dhënë këtij shuma të ndryshme parash me kamata të larta dhe përfitime joproporcionale, raporton zeri.info.
“Si pasojë e kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave dyshohet se nga viktima B.Ç. janë marrë mbi 400 mijë euro.Në pamundësi për ta përballuar borxhin, në këtë rast është përfshirë edhe viktima e dytë, B.B., e cila ka marrë para nga të dyshuarit për ta ndihmuar viktimën e parë në shlyerjen e borxhit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria po ashtu bën të ditur se të dyshuarit E.K. dhe A.K. nga viktimat kanë kërkuar në total 550 mijë euro.
“Për të siguruar këtë shumë, ata dyshohet se kanë kërkuar që në emër të kamatave t’u kalohen në pronësi dy lokale afariste dhe një shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth një milion euro”, thuhet tutje në njofitm.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur edhe dhunë fizike dhe kërcënime ndaj viktimave për të realizuar përfitime të kundërligjshme.
“Më 11 mars 2026, viktima B.Ç. së bashku me nënën e tij ishin detyruar të paraqiteshin fillimisht në zyrën e një përmbaruesi privat dhe më pas te noteri për të vazhduar procedurat e kalimit të pronës.Megjithatë, falë aplikimit të masave të veçanta hetimore, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar të dyshuarit”, thuhet në njoftim.
Gjatë aksionit dhe veprimeve hetimore janë sekuestruar para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, dokumente noteriale dhe prova të tjera materiale që lidhen me rastin.
“Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, mbrojtjen e viktimave dhe forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim. /Zëri