Arritën marrëveshje për pranim fajësie, 25 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim ndaj katër të akuzuarve në rastin “Subvencionet”
Foto: Laura Hasani

Arritën marrëveshje për pranim fajësie, 25 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim ndaj katër të akuzuarve në rastin “Subvencionet”

Kronika March 12, 2026 - 15:36

Gjyakat Themelore në Prishtinë ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie të lidhur në mes Prokurorise Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të akuzuarve Pajtim Krasniqi, Hazir Metaj, Valdete Ismajli dhe Veton Prekazi të akuzuar në rastin e njohur “Subvencionet” pas bashkimit të procedurës penale për 28 të akuzuar në një lëndë të vetme. Katër të akuzuarit (së bashku) u dënuan në total prej 25 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim.

Në këtë rast po akuzohen: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Salih Statovci, Afrim Abazaj, Veton Prekazi, Kumrije Maxharraj, Kujtim Zariqi, Sadat Shkodra, Afërdita Gjokaj, Bejtullah Pira, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi, Alban Novosella, Berat Nika, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi, Enver Ibishi, Artan Elezi, Bashkim Mani, Salih Ilazi, Halil Krasniqi, Almir Abdurrahmani, Ingrit Kuqi, Liridon Fandaj, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket katër të akuzuarve që kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie, Pajtim Krasniqi akuzohet për ndihmë në vepren penale “Marrje ryshfeti”, Hazir Metaj për “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, Valdete Ismajli për “Dhënie ryshfeti” dhe Veton Prekazi për “Marrje ryshfeti”.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të enjten kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi me anëtarët Avni Syla dhe Leon Përlaska.

Të akuzuarit Krasniqi, Metaj, Ismajli dhe Prekazi u shpallën fajtorë për veprat penale që iu vihen në barrë.

Sipas vendimit, i akuzuari Metaj për veprën penale “Dhënie e ryshfetit” u dënua me burg 6 muaj dhe 400 euro gjobë. Me pelqimin e të akuzuarit, dënimi me burgim prej 6 muaj i zëvendësohet në gjobë në shumën 3 mijë e 600 euro.

Kurse, për veprën penale “Mashtrim me subvencione”, të akuzuarit Metaj iu shqiptua dënim me gjobë 1 mijë euro. Ndaj tij, Gjykata shqiptoi dënim unik me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

Me këtë vendim, të akuzuarit Pajtim Krasniqi iu shqiptua dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro dhe dënim me burg prej 1 viti, duke iu llogaritur në dënim edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtepiak.

Të akuzuarit Veton Prekazi iu shqiptua dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro dhe dënim me burg prej 6 muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Me pëlqimin e të akuzuarit Prekazi, dënimi me burgim prej 6 muaj i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro. Ndaj tij, u shqiptua dënim unik me gjobë në shumën prej 12 mijë euro.

Kurse, të akuzuarës Valdete Ismajli iu shqiptua dënim me gjobë në shumë prej 500 euro dhe dënim me burg prej 6 muaj. Me pëlqimin e saj, dënimi me burgim i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 2 mijë e 500 euro. Kështu, ndaj saj u shqiptua dënim unik me gjobë në shumën prej 3 mijë euro.

Gjykata obligoi të akuzuarit që dënimin e shqiptuar me gjobë të precizuar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, ta paguajnë jo më larg se tre muaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në rast të mospagesës së dënimit me gjobë, iu zëvendësohet me burg, ku një ditë burg llogaritet në 20 euro gjobë.

Obligohen te akuzuarit secili veç e veç të paguajnë shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor nga 150 euro, si dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit nga 50 euro në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

E dëmtuara Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për realizimin kërkesës pasurore-juridike, udhëzohet në kontest të rregullt civilo-juridik.

Ndryshe, prokurori special Rafet Halimi në seancën e 10 marsit 2026, kishte njoftuar trupin gjykues se me të akuzuarit kishin arritur marrëveshje për pranim fajësie, andaj në seancë dëgjimore në të njëjtën ditë u prezantuan marrëveshjet lidhur me lartësinë e dënimit, duke i propozuar gjykatës që t’i aprovojë.

Për të akuzuarin Krasniqi, ishte propozuar që t’i shqiptohet dënim me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Pranë kësaj marrëveshje kishte qënduar i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Nexhmedin Sejdiu.

Për të akuzuarin Metaj për veprën penale “Dhënie ryshfeti” ishte propozuar dënimi me 6 muaj burgim dhe 400 euro gjobë, ndërsa për “Mashtirm me subvencione” dënim me gjobë 1 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u propozua dënimi unik me 6 muaj burg dhe 1 mijë e 400 euro gjobë.

Sipas prokurorit, me pëlqimin e të akuzuarit Metaj u propozua që dënimi me 6 muaj burg të zëvendësohet me 3 mijë e 600 euro gjobë. Ndërsa, dënim i përbashkët me gjobë prej 5 mijë euro. Pranë marrëveshjes me Prokurorinë qëndroi edhe i akuzuari Metaj dhe mbrojtësja e tij, avokatja Blerina Maliqi.

Për të akuzuarën Ismajli, ishte propozuar dënim me 6 muaj burgim i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarës të zëvendesohej me dënim me gjobë në shumën 3 mijë euro.

Ndërsa, për të akuzuarin Prekazi ishte propozuar dënim me gjobë prej 10 mijë euro dhe dënim me burg prej 6 muaj. Duke qenë se i akzuuari kishte qendruar në ndalim dhe arrest shtëpiak, me pëlqimin tij ishte propozuar dënim prej 2 mijë euro. Edhe i akuzuari Prekazi me mbrojtësen e tij, avokaten Kaltrina Kodraliu thanë se mbesin pranë marrëveshjes së arritur.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 10 shkurt 2026, u deklaruan të pafajshëm të akuzuarit: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Salih Statovci, Kumrije Maxharraj, Kujtim Zariqi, Sadat Shkodra, Afërdita Gjokaj, Bejtullah Pira, Feriz Jonuzi, Alban Novosella, Berat Nika, Lulzim Hajdaraj, Bajram Gashi, Artan Elezi, Bashkim Mani, Halil Krasniqi, Almir Abdurrahmani, Ingrit Kuqi, Liridon Fandaj dhe Rasim Zekaj.

Kurse, u veçua procedura për dy të akuzuarit Enver Ibishi dhe Musa Nivokazi. Në anën tjetër, për të akuzuarit Veton Prekazi, Hazir Metaj, Valdete Ismajli, Pajtim Krasniqi, Afrim Abazaj dhe Salih Ilazi, u bë e ditur se kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë. Për dy të fundit, shpallja do të bëhet në fund të procedurës.

Ndryshe, procedura penale në këtë rast është bashkuar në një lëndë të vetme të rasteve të “Subvencioneve” për 28 të akuzuarit: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Salih Statovci, Afrim Abazaj, Veton Prekazi, Kumrije Maxharraj, Kujtim Zariqi, Sadat Shkodra, Afërdita Gjokaj, Bejtullah Pira, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi, Alban Novosella, Berat Nika, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi, Enver Ibishi, Artan Elezi, Bashkim Mani, Salih Ilazi, Halil Krasniqi, Almir Abdurrahmani, Ingrit Kuqi, Liridon Fandaj, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.

Në cilat raste të “Subvencioneve” ngarkoheshin 28 të akuzuarit para se lënda të bashkohej në një të vetme?

Nga 28 të akuzuarit e lartpërmendur, disa prej tyre janë pjesë e më shumë se një rasti të aktakuzave të ndara të subvencioneve. Në këtë rast, janë bashkuar në një lëndë rastet “Subvencionet 2”, “Subvencionet 3”, “Subvencionet 4”, “Subvencionet 5” dhe “Subvencionet 6”.

Kështu, pjesë e aktakuzës në rastin “Subvencionet 1” ishin: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Salih Statovci, Afrim Abazaj, Sadat Shkodra, Berat Nika, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani.

Në rastin “Subvencionet 2”, janë të akuzuarit: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.

Në rastin “Subvencionet 3” janë të akuzuarit: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Salih Statovci, Afrim Abazaj dhe Kumrije Maxharraj.

Në rastin “Subvencionet 4” janë të akuzuarit: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi dhe Lulzim Hajdaraj.

Në rastin “Subvencionet 5” janë të akuzuarit: Kujtim Zariqi, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Afërdita Gjokaj, Bejtullah Pira, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi dhe Alban Novosella.

Në rastin “Subvencionet 6” janë të akuzuarit: Liridon Fandaj, Enver Ibishi, Luan Statovci, Berat Nika, Artan Elezi, Bashkim Mani, Salih Statovci, Almir Abdurrahmani, Ingrit Kuqi, Halil Krasniqi dhe Salih Ilazi.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 1” ngarkon 21 të akuzuar:

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 2” ngarkon 15 të akuzuar:

Sipas aktakuzës së 22 dhjetorit 2022, 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”, Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 3” ngarkon 10 të akuzuar:

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 4” ngarkon 10 të akuzuar:

Prokuroria e Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 23 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave, prej tyre tetë zyrtarë dhe dy qytetarë, në rastin e njohur si “Subvencioni IV”.

Të akuzuarit në këtë rast janë: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi, Halit Berisha, Gjon Musolli dhe Lulzim Hajdari. Sipas aktakuzës 10 të akuzuarit të gjithë së bashku Prokuroria i ngarkon se kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim në detyrë”, “Ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, si dhe “Mashtrim me subvencione”.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 5” ngarkon 18 të akuzuar:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 21 mars 2024 ka ngritur aktakuzë në rastin “Subvencionet V” ndaj 18 të akuzuarve lidhur me keqpërdorimet me subvencione, duke i ngarkuar me veprat penale “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim me subvencione”, “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës të akuzuar në këtë rast janë tetë zyrtarët: Kujtim Zariqi, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kastriote Bajrami-Sejdiu, Aferdita Gjokaj, Adushe Ukshini, Valon Hoti dhe Bejtullah Pira. Si dhe 10 qytetarët: Burim Selmani, Granit Avdyli, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi, Faruk Ymeri, Avdullah Terstena, Blerton Ostergllava, Avdyl Sejdiu, Muzafer Maliqi dhe Alban Novosella.

Aktakuza në rastin “Subvencionet 6” ngarkon 16 të akuzuar:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 12 prill 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj 16 personave: Liridon Fondaj, Enver Ibishi, Luan Statovci, Berat Nika, Arton Elezi, Bashkim Mani, Salih Statovci, Almir Abdullahu, Ingrit Kuqi, Halil Krasniqi, Salih Ilazi, Festim Olluri, Milit Berisha, Halit Berisha, Sadat Qazimi dhe Fatmir Shala.

Aktakuza në këtë rast ngarkon të akuzuarit me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim në detyrë”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Pengim i të provuarit apo procedurës penale”, “Dhënie ryshfeti”, “Ndihmë në marrje ryshfeti”, “Falsifikim i dokumentit”, “Mashtrim me subvencione”, “Ndihmë në mashtrim me subvencione” dhe “Ndihmë në falsifikim të dokumenteve”.