Sekuestrohen cigare pa banderola në një garazh në Prishtinë, dyshohet për kontrabandë mbi 15 mijë euro
Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë sekuestruar një sasi cigaresh pa banderola gjatë një kontrolli të realizuar në një garazh të një shtëpie në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga Dogana, aksioni është ndërmarrë pas pranimit të një informate përmes rrugëve operative dhe me autorizim të Prokurorit Kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 44 pako cigare pa banderola, për të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës.
Vlera e përgjithshme e cigareve të sekuestruara vlerësohet rreth 15 mijë euro, ndërsa shmangia nga pagesa e taksave dhe detyrimeve doganore llogaritet të jetë mbi 30 mijë euro.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, personi i dyshuar – i cili dyshohet të jetë edhe pronari i mallit – është intervistuar lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa malli është konfiskuar.
Nga Dogana e Kosovës u bë e ditur se institucionet mbeten të përkushtuara në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm, në bashkëpunim me organet e drejtësisë./Zëri