Arrestohen dy fajdexhinj në Prizren, tentuan t’i marrin viktimës shtëpinë dhe dy lokale në vlerë një milion euro
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka realizuar sot një operacion policor në Prizren, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Fajde” .
Operacioni është zhvilluar pas veprimeve hetimore të ndërmarra me autorizim të Prokuroria Themelore në Prizren.
Sipas hetimeve, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme e kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde. Përmes formave të ndryshme të presionit, ata dyshohet se kanë kërkuar nga viktima edhe kalimin në pronësi të shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e të cilave llogaritet rreth 1 milion euro.
Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes për ta detyruar viktimën të rregullojë dokumentacionin për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe dy lokaleve në emër të tyre.
Me urdhër të gjykatës është kryer edhe kontrolli i vendbanimeve të dy të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që do të përdoren në procedurën penale.
Ndaj të dyshuarve me inicialet E.K. dhe A.K., Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren ka nxjerrë aktvendim për ndalim, ka njoftuar Policia dhe Prokuroria përmes një komunikate të përbashkët. /Zëri