Arrestohet një person për tentim-vrasje në veri të Mitrovicës, policia gjen armë, granatë dhe drogë
Foto: Policia e Kosovës

Arrestohet një person për tentim-vrasje në veri të Mitrovicës, policia gjen armë, granatë dhe drogë

Kronika March 07, 2026 - 11:37

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për tentim-vrasje në veri të Mitrovica, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij është zbuluar një arsenal armësh dhe mjete të tjera të rrezikshme.

Sipas Policisë, thuhet se më 6 mars 2026 rreth orës 21:20, është pranuar një njoftim nga Spitali Rajonal në Mitrovicën e Veriut se një person ishte pranuar për trajtim mjekësor me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Anri Dinan”, pas një mosmarrëveshjeje verbale që lidhej me një qiradhënie.

Sipas hetimeve fillestare, tre persona kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, fillimisht e kanë sulmuar fizikisht viktimën dhe më pas njëri nga ta e ka therur me mjet të mprehtë, që dyshohet të jetë thikë, katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Falë veprimeve të shpejta operative, policia ka arritur të identifikojë automjetin e përdorur nga të dyshuarit, i cili ishte i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes. Automjeti është sekuestruar nga policia.

Më pas është identifikuar edhe vendndodhja e njërit prej të dyshuarve. Zyrtarët policorë kanë shkuar në lokacionin përkatës, ku kanë hasur në të dyshuarin, i cili ka tentuar të largohet, por është arrestuar. Arrestimi është bërë në adresën e familjarëve të tij në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe mjetin e mprehtë që dyshohet se është përdorur në sulm, si dhe një sasi armësh dhe pajisjesh të tjera, përfshirë:

një armë të gjatë AK-47

34 fishekë të kalibrit 7.62 mm

një karikator me 29 fishekë të kalibrit 7.62 mm

një kuti me 15 fishekë të kalibrit 7.62 mm

një granatë dore M-75

një antiplumb

dy shok-bomba

një flakadan

dy thika

një peshore

bimë narkotike

një mulli për bluarje

qese najloni dhe folie

një cigare të dyshuar si marihuanë

maica me mbishkrime në cirilik

si dhe një shumë parash të shtetit të Serbisë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive, të cilat kanë tërhequr mjetet shpërthyese në mënyrë të kontrolluar.

I dyshuari, B.I. (2000), është shoqëruar në stacionin policor, ku në prani të avokatit mbrojtës ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia njofton se në këtë rast dyshohet të jenë përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët aktualisht janë në arrati, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për arrestimin e tyre.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit janë iniciuar veprat penale: “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. /Zëri