Aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie për keqpërdorim në prokurim publik në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Xh.K., në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të kompanisë “E.I.” SHPK, si dhe ndaj kësaj kompanie, për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës, më 10 dhjetor 2022, në Prizren, i pandehuri dyshohet se ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik gjatë zbatimit të kontratës për “Rregullimin e nxemjes qendrore në sallën e baletit në SHM ‘Lorenc Antoni’”.
Prokuroria pretendon se në kuadër të punimeve janë përdorur materiale që nuk përputheshin me specifikimet e kontratës.
Sipas aktakuzës, në vend të gypave të bakrit, janë vendosur gypa të galvanizuar dhe të çelikut të zi, të materialit “inox”, në kundërshtim me paramasat, parallogaritë dhe specifikimet e përcaktuara në kontratë.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, janë kryer me qëllim të përfitimit pasuror dhe i kanë shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik “E.I.” SHPK, nën dyshimin se ka shkelur rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Zëri