Taksisti 55-vjeçar gjendet pa shenja jete brenda veturës së tij në Prizren, Policia nis hetimet
Një 55-vjeçar është gjetur i vdekur në veturën e tij në orët e para të ditës së sotme në Prizren.
Këtë e ka konfirmuar për “Zërin”, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.
Bytyqi ka bërë të ditur se viktima ishte taksist.
“Më datën 15.01.2026, natën rreth orës 01:20, Policia është njoftuar për një rast se në automjetin e tij gjendet një person pa shenja jete. Sipas informatave fillestare, në rrugën “Hajdar Shala”, në Prizren, një person mashkull , rreth 55 vjeçar (A.S.), banor i Prizrenit, me profesion taksist, është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij. I ndjeri ishte duke qëndruar në pritje, me automjetin e parkuar në një vendparkim të rezervuar për TAXI. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit”, ka treguar Bytyqi.
Tutje ai ka bërë të ditur se tashmë kanë filluar të gjitha hetimet, duke theksuar se në momentin e ekzaminimit nuk është vërejtur asnjë shenjë e dhunës në trup.
“Pas pranimit të informatës, ekipi kujdestar i Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë. Gjatë ekzaminimit sipërfaqësor të trupit, nuk janë vërejtur shenja të dhunës. Rasti vazhdon të hetohet si "Hetim i vdekjes" në bashkërendim me Prokurorinë”, tha Bytyqi. /Zëri