Aktakuzë ndaj 11 personave për skema piramidale të bixhozit të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave – A.O., G.N., A.Sh., H.R., M.K., P.A., E.B., A.J. dhe R.B. për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, si dhe ndaj F.M. për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Sipas aktakuzës prej 26 faqesh, Prokuroria ka përshkruar detajisht veprimet inkriminuese të të pandehurve. Hetimet kanë konstatuar se më 17 gusht 2025, rreth orës 02:00, në lokalin “Te Katamt” në fshatin Isniq të Deçanit, i pandehuri A.O. dyshohet se ka organizuar aktivitete të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm me qëllim përfitimi.
Në të njëjtën natë, nëntë persona të tjerë akuzohen se kanë marrë pjesë në organizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Policia ka gjetur të pandehurit duke luajtur bixhoz në një dhomë të veçantë të lokalit, ku disa prej tyre kanë tentuar të ikin nga një derë alternative, por janë arrestuar në vendngjarje. Gjatë bastisjes, në tavolinë dhe tek secili prej të pandehurve u gjetën letra bixhozi dhe para të gatshme, në një shumë të përgjithshme prej 17.578 euro, të cilat u sekuestruan me autorizim të prokurorit.
Ndërkohë, i pandehuri F.M. akuzohet se gjatë natës kritike ka poseduar armë pa leje, duke u ngarkuar me veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armëve.
Prokuroria vlerëson se ekziston dyshim i bazuar mirë se të gjithë të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u ngarkohen dhe ka propozuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.