Aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria kundër Terrorizmit dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj J.V., D.V. dhe I.D. për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin ose dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” lidhur me veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit Ibër Lepenc të pandehurit J.V. dhe D.V. së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.
J.V. dhe D.V. akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit Ibër Lepenc është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes Ibër Lepenc i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376.774.70 eurosh.
Sipas aktakuzës, me këto veprime të pandehurit J.V. dhe D.V. kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike” nga Neni 122 në lidhje me kryerjen e veprës terroriste.
Dy të pandehurit akuzohen edhe për “Armëmbajtje pa leje” së bashku edhe me të akuzuarin tjetër I.D.
Ndërsa, i pandehuri J.V. akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës. /Zëri