Aktakuzë ndaj ish-kryeprokurorit Haxhi Dërguti

Aktakuzë ndaj ish-kryeprokurorit Haxhi Dërguti

Kronika November 06, 2025 - 20:37

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 3 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, si dhe Hasan Morinës, Liridon Fandajt dhe Sali Dakajt, për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Dakaj akuzohet se ia dha 150 mijë euro Morinës në mënyrë që të ndikonte në vendimmarrjen e gjykatësit Latif Xhemaili për një lëndë përmbarimore. Takimi dhe marrëveshja mes Dakajt dhe Morinës thuhet se u bë me koordinim nga Fandaj. Për të gjitha veprimet, aktakuza thotë se ishte i njoftuar Dërguti, por që nuk e ka lajmëruar rastin.

Morina, Dakaj e Fandaj akuzohen për “Ushtrim ndikimi”, kurse Dërguti për “Moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Sipas aktakuzës, në pikën e parë ngarkohen Hasan Morina dhe Liridon Fandaj. Ata akuzohen se gjatë muajit nëntor të vitit 2019 në Prishtinë pas një planifikimi paraprak, drejtpërdrejt i kanë kërkuar para të pandehurit tjetër Sali Dakaj në shumën prej 300 mijë euro, me premtimin që të ushtrojë ndikim në vendimmarrjen e gjykatësit Latif Xhemajli.

Aty thuhet se rasti kishte të bënte me një lëndë përmbarimore dhe atë konkretisht prapësimin e kompanisë “EXCOM-Sh.P.K”- debitor ndaj aktvendimit të përmbaruesit privat për lejimin e ekzekutimit të propozimit të kreditorit- Sali Dakaj, pronar i kompanisë N.P.N “Çlirimi”.

Fillimisht, thuhet se i akuzuari Fandaj është takuar me Dakajn në një restorant në qendrën tregtare “Abi Çarshia” në Prizren, ku kanë diskutuar për rastin në fjalë, e përveç tjerash Fandaj i ka treguar Dakajt se e njihte personin Hasan Morina, i cili mund ta kryente lëndën përmbarimore. Ai i kishte premtuar se do të bisedonte me Morinën për këtë çështje, dhe e njoftoi se për këtë duhet të jepen para.

Më pastaj, thuhet se pas një takimi paraprak të zhvilluar mes Fandajt dhe Morinës në Prishtinë, Fandaj e kishte ftuar Dakajn që të takohej me Morinën për të diskutuar lidhur me rastin.

Pas ftesës, sipas aktakuzës, takimi u zhvillua në një restaurant në Suharekë, ku Morina fillon bisedat me Dakajn, duke e njoftuar se rastin në procedurë përmbarimore e ka te gjykatësi Xhemajli në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Për këtë, në aktakuzë thuhet se Morina i ka thënë se mund ta ndihmonte nëse i jep 300 mijë euro të ndara në dy pjesë me nga 150 mijë. Konkretisht, 150 mijë euro të jepeshin menjëherë, ndërkaq 150 mijë të tjera para përfundimit të lëndës në Gjykatën e Apelit.

Këtë kërkesë, sipas aktakuzës, e ka mbështetur edhe Fandaj, ku vazhdimisht ka insistuar që Dakaj të jepte paratë e kërkuara nga Morina, e që më pas me kërkesë të Morinës dhe Fandajt më 24 nëntor 2019 në Prishtinë, i pandehuri Dakaj ia jep 150 mijë euro Morinës. Ky i fundit bashkë me Fandajn, thuhet se më pas u larguan në drejtim të Prizrenit.

Me këto veprime, Fandaj dhe Morina ngarkohen me veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në pikën e dytë të aktakuzës ngarkohet Sali Dakaj, ku thuhet se më 24 nëntor 2019 në parkingun e rastaurantit të Morinës, sipas kërkesës së Morinës dhe Fandajt, u ka dhënë 150 mijë euro, me qëllim që të ushtrojnë ndikim të paligjshëm te gjykatësi Latif Xhemajli, për lëndën përmbarimore të cilën e kishte në trajtim e sipër dhe që kishte të bënte me interesa juridike të vetë Dakajt me qëllim që ndaj tij të merret vendim i favorshëm.

Për këto veprime, Dakaj ngarkohet me veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, i cili akuzohet se nga tetori i vitit 2021 ishte në dijeni të plotë se të pandehurit Hasan Morina, Liridon Fandaj dhe Sali Dakaj, kishin kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi”. Aty thuhet se Morina dhe Fandaj i kishin kërkuar para në shumën prej 300 mij euro të pandehurit Dakaj, me premtimin se do të ushtrohet ndikim në vendimmarrje e gjykatësit Latif Xhemajlii, ku palë ishte Dakaj në procedurë përmbarimore.

Për këtë, në aktakuzë thuhet se më 24 nëntor 2019, Dakaj ua kishte dhënë sipas marrëveshjes 150 mijë euro, dhe se ndonëse Dërguti ishte në dijeni për veprën penale dhe kryerësit e saj, nuk e lajmëroi rastin pranë organeve kompetente.

Prandaj, për këto veprime, Dërguti ngarkohet me veprën penale “Moslajëmrim i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, paragrafi 1, nënparagrafi 1.7 të Kodit Penal.

Dërguti ka arritur marrëveshje për pranim fajësie

Ndryshe, Prokuroria Speciale më 3 nëntor 2022 kishte nisur hetimet ndaj Dërgutit për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Ushtrim ndikimi”, si dhe ndaj Morinës, Fandajt e Dakajt për “Ushtrim ndikimi”. Më pas, Gjykata kishte lejuar kërkesën për zgjatje të afatit të hetimeve. E më 29 shtator 2025, hetimet u zgjeruan ndaj Dërgutit për “Moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Gjatë hetimit, përmes mbrojtjes, Dërguti ka paraqitur kërkesë për të negociuar marrëveshjen për pranim fajësie për “Moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”. Më pas, është aprovuar kjo marrëveshje, me të cilën Gjykatës i është rekomanduar të shqiptojë dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti me propozimin që të jetë dënim me kusht.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-Kryeprokurori Dërguti tha se çkado që ka, do të deklarohet në gjykatë.

“Çkado që kam, deklarohem në gjykatë”, tha shkurtimisht Dërguti.

Në anën tjetër, ish-gjykatësi Latif Xhemajli, që sipas aktakuzës, paratë janë marrë për të ndikuar në vendimmarrjen e tij, tha se akush nuk ka ndërhyrë në punën e tij si gjykatës.

“Unë e kam dhënë betimin kur jam ba gjyqtar dhe askush s’ka mujt me ndiku në punën time”, tha Xhemajli.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktojë edhe me Fandajn, por s’ishte i qasshëm në numrin që poseduam. Ndërkaq, nuk kemi arritur të gjejmë kontakt të të akuzuarve Dakaj dhe Morina.

Dëshmia e dëshmitarit Latif Xhemaili:

Në aktakuzë thuhet se në deklarimin e tij, Xhemaili ka thënë se i kujtohet që ka punuar me lëndën me kreditor Sali Dakajn. Ka thënë se sipas shkresave të lëndës, kreditori pretendonte një borxh që sipas tij është krijuar në vazhdimësi gjatë kryerjes së punëve të cilat i ka kryer për kompaninë “Ex.com”- pronari i të cilës ishte debitori. Me sa i kujtohej, vlera e borxhit ishte rreth 3 milionë e gjysmë.

Ai ka thënë se Haxhi Dërgutin nuk e kishte njohur më parë dhe nuk ka pasur kontakte me të, por e ka njohur si Kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit. Tha se kishte pirë kafe me të një herë dhe një gjykatës tjetër, por që nuk kanë diskutuar as për këtë e as ndonjë rast tjetër.

Pas një jave, tha se në bufenë e Pallatit të Drejtësisë derisa po qëndronte me disa gjykatës, kishte shkuar Dërguti. Ky i fundit i kishte thënë se një mik i tij nga Prizreni i është ankuar se po i vonohet një lëndë me përmbarim dhe se mund t’i falimentojë firma, dhe se do ishte mirë t’ia kryente këtë lëndë më shpejtë.

Aty ai ka thënë se ka kuptuar se bëhet fjalë për lëndën e Sali Dakajt. Tha se seanca dëgjimore më pas ishte zhvilluar sipas radhës dhe kishte marrë vendim sipas bindjes së krijuar dhe në bazë të provave, duke aprovuar prapësimin e debitorit “Ec.Com”.

Pas disa ditësh pas vendimit, gjykatësi Xhemaili ka thënë se i kishte shkuar në zyrë Dakaj, duke i thënë se “nëse e humbi këtë rast unë do të jem i vdekur”. Dakaj më pas kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit dhe se rasti ka shkuar në Apel, kjo e fundit e kishte vërtetuar vendimin e Themelores.

Gjykatësi Xhemaili ka thënë se nuk është takuar asnjëherë me Dërgutin. Tha se ky i fundit i kërkoi ta shpejtojë lëndën dhe jo të ndikojë në vendimmarrjen e tij.

Po ashtu, ai ka deklaruar se nuk ka marrë para për të vendosur për këtë rast dhe as që është diskutuar kjo çështje. Ka thënë se për rastin e kishte kuptuar përmes një emisioni televiziv dhe ishte ndjerë keq se mund të keqkuptohej.

Deklarimi i Haxhi Dërgutit:

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, thuhet se gjatë dhënies së mbrojtjes, Dërguti ka pohuar veprimet e tij të përshkruara si në aktakuzë.

Aty thuhet se Dërguti ka deklaruar se nga Sali Dakaj ka kuptuar se Hasan Morina dhe Liridon Fandaj ia kishin marrë 150 mijë euro me qëllim ndikimi për vendosjen e lëndës përmbarimore te gjykatësi Xhemajli në favor të Dakajt.

Dërguti ka pohuar se veprimet e Morinës dhe Fandajt janë të kundërligjshme, por se rastin nuk e ka lajmëruar pasi që Morina sipas tij i ka thënë se do e rregullojë këtë çështje.

Prokuroria në aktakuzë thotë se arsyetimin e Dërgutit që nuk e ka lajmëruar rastin në organet kompetente pasi që Morina i ka thënë se e rregullon çështjen, e ka vlerësuar si tendencë për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.

Deklarimi i Hasan Morinës:

Në anën tjetër, Hasan Morina në mbrojtje ka pohuar faktin se ka pranuar mjetet monetare nga Dakaj, ashtu siç përshkruhet edhe në aktakuzë.

Morina, sipas aktakuzës, po ashtu ka pohuar se së bashku me Fandajn kishin zhvilluar takime të shumta me Dakajn dhe se me këtë të fundit ishte njoftuar përmes Fandajt e që i njëjti e kishte njoftuar se si Dakaj e ka rastin në procedurë përmbarimore te gjykatësi asokohe Xhemaili.

Sipas Morinës, në koordinim me Fandajn i kishin premtuar Dakajt se do t’i ndihmonin në çështjen gjyqësore. Paratë e marra prej 150 mijë euro, Morina ka deklaruar se ia ka kthyer Dakajt.

Deklarimi i Liridon Fandajt:

I pandehuri Liridon Fandaj në dhënie të mbrotjes ka pohuar se ka njoftuar mes vete Dakajn dhe Morinën dhe se kishin biseduar për rastin që Dakaj e kishte në gjykatë. Ka pohuar se në koordinim me Morinën janë takuar me Dakajn me qëllim të ofrimit të ndihmës për rastin në gjykatë.

Gjithashtu, edhe Fandaj ka pohuar se Dakaj ia ka dhënë 150 mijë euro Morinës në vendin, kohën dhe mënyrë e përshkruar si në aktakuzë.

Deklarimi i Sali Dakajt:

Edhe Sali Dakaj në mbrojtje ka pohuar veprimet e përshkruara si në aktakuzë, duke pranuar se ia ka dhënë paratë në shumën prej 150 mijë euro Morinës, me qëllim ndikimi te gjykatësi Xhemajli për të vendosur në favor të tij. Ka thënë se gjatë dhënies së parave, prezent ka qenë edhe Fandaj.

Aty thuhet se Dakaj ka pohuar që i përfshirë në rast ishte edhe Haxhi Dërguti, por ka mohuar se i ka kërkuar ndonjëherë para për lëndën në fjalë. /BetimipërDrejtësi