Prangoset një mjek në Vushtrri për marrje ryshfeti
Kronika
October 28, 2025 - 13:42
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar sot në Vushtrri një mjek me inicialet A.V., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është rezultat i hetimeve disamujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Nga gjetjet e deritanishme, dyshohet se mjeku i arrestuar ka lëshuar vërtetime mjekësore për qytetarët në këmbim të mjeteve monetare, njofton Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
Me vendim të prokurorit të rastit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.