
Ndalohen për 48 orë dy zyrtarë publikë, i kërkuan para një kandidati për të kaluar testin për leje
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se sot ka ndaluar dy persona të dyshuar për “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Në njoftim thuhet se ata i kanë kërkuar një shumë të hollash një personi që ta kalojë testin teorik për patentë shoferë.
Personat e ndaluar janë zyrtarë publik të cilët dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, nga i dëmtuari kanë kërkuar dhe pranuar një shumë të caktuar të të hollave (cash), në atë mënyrë që i dëmtuari ta kaloj testin teorik për patentë shofer, me çka pas dhënies së shumës të caktuar të parave në formë të ryshfetit, i njëjti e ka kaluar testin teorik.
Ata janë ndaluar për 48 orë.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit si dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave penale si dhe dërgimin para Gjykatës të secilit kryerësve të këtyre veprave penale.”