Aktakuzë ndaj pejanit, me 9 mijë dollarë të falsifikuara donte të shlyente borxhin
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj pejanit, me 9 mijë dollarë të falsifikuara donte të shlyente borxhin

Kronika August 21, 2025 - 15:55

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., i cili akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i parasë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2023, ku i pandehuri A.M. duke qenë në dijeni se paratë janë të falsifikuara, i vë ato në qarkullim.

Ai kishte borxh ndaj personit tjetër, S.Q., në vlerë prej 21,500 euro. Fillimisht, i kthen 3,500 euro, ndërsa për pjesën e mbetur prej 18,000 euro në formë “garancie” i dorëzon 9,000 dollarë, të cilët rezultuan të jenë të falsifikuar.

“Në muajin nëntor 2023, i’a jep shumën prej 9,000.00 (nëntëmijë dollar) $ të cilat ishin të falsifikuara,” thuhet në aktakuzë.

Prokurori i rastit, përveç kërkesës për dënimin e të pandehurit, ka propozuar konfiskimin e parave të falsifikuara dhe kompensimin e dëmit ndaj të dëmtuarit.