Festa e mbrëmshme në rrugët e Graçanicës, Komuna kërkon mbrojte nga KFOR-i e reagim të shteteve të QUINT-it
Foto: Kosovo-Online

Festa e mbrëmshme në rrugët e Graçanicës, Komuna kërkon mbrojte nga KFOR-i e reagim të shteteve të QUINT-it

Kronika November 29, 2024 - 10:06

28 Nëntori është festuar gjatë gjithë ditës së djeshme edhe në Kosovë.

Shumë qytetarë kanë festuar edhe në rrugët e Graçanicës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, të cilët sipas një reagimi nga autoritetet komunale janë ndier të provokuar nga kjo festë, shkruan Zeri.info.

Në një reagim, Komuna e Graçanicës ka kërkuar nga forcat ndërkombëtare të sigurisë, mbi të gjitha KFOR-i, “që të qëndrojnë në mbrojtje të popullit serb”.

Sipas Komunës, mbrëmë gjatë festës janë provokuar e sharë qytetarët serbë në Graçanicë.

“Kurrë nuk do ta lejojmë veten që t’i nënshtrohemi provokimeve dhe të mbytemi në një demonstrim nacionalist të forcës në rrugë, sepse vetëm qetësia e qytetarëve tanë pengoi përshkallëzimin e dhunës mbrëmë pavarësisht tentativave të një grupi të organizuar shqiptarësh për të provokuar dhunë në rrugët e vendit për të shkatërruar multietnicitetin dhe tolerancën që kemi ndërtuar me dekada në komunën e Graçanicës. Banorët e Graçanicës janë të frikësuar për sigurinë e familjeve të tyre”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Sipas Komunës, nga kjo festë persona të panjohur kanë bllokuar familjet serbe në kolona, ndërsa akuzojnë Policinë e Kosovës se nuk kanë arritur të ofrojnë mbrojtje për banorët e Graçanicës.

“Në kolonën e veturave me shenja të UÇK-së dhe Shqipërisë janë bllokuar edhe disa familje serbe me fëmijë të mitur, të cilët vetëm me gjakftohtësi kanë arritur të dalin nga kolona dhe të shkojnë në Stacionin e Policisë për mbrojtje. Fatkeqësisht, për shkak të numrit të vogël të oficerëve në detyrë, nuk kishte mbrojtje policore deri në ardhjen e forcave të përforcuara policore nga Prishtina. Ky është një tregues se popullata serbe është e pambrojtur dhe se situata në të cilën ndodhemi po bëhet çdo ditë e më e pasigurt dhe paraqet një terren pjellor për pasoja të paparashikueshme që u shmangën këtë herë kryesisht për shkak të qetësisë së popullatës sonë”, thotë Komuna. /Zëri