27-vjeçari në Ferizaj tenton të bëjë vetëvrasje, familjarët e shpëtojnë mrekullisht
Dhuna në familje, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasjes e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët.
Kështu ka ndodhur mbrëmë në një familje në Ferizaj, ku një i ri tentoi t’i jap fund jetës së tij, raporton Sinjali.
Bëhet fjalë për një 27-vjeçar, i cili tentoi të hidhet nga kati i dytë i shtëpisë së tij, por fatmirësht familja arriti ta ndalojë dhe u dërgua në spital.
Gjendja e tij emocionale ka qenë e rënduar dhe i njëjti është transferuar nga Emergjenca në Ferizaj për në QKUK.
Posa Policia është njoftuar, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të marrë informacionet e para se si ka ndodhur rasti.
Ndërkohë familjarët që e shpëtuan viktimën kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.