Detaje nga Policia për aksidentin fatal në Nadakovc – humb jetën një 27-vjeçar, shoferi shoqërohet në Polici
Foto: Laura Hasani

Detaje nga Policia për aksidentin fatal në Nadakovc – humb jetën një 27-vjeçar, shoferi shoqërohet në Polici

Kronika March 19, 2026 - 23:12

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për Zeri.info se sot, më 19 mars 2026, rreth orës 20:00, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, përkatësisht në segmentin në fshatin Nadakovc, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.

Sipas tij, në aksident janë përfshirë një automjet dhe një këmbësor, ku si pasojë e lëndimeve të marra, këmbësori, mashkull rreth 27-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, raporton Zeri.info.

“Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Stacionin Policor për intervistim dhe procedura të mëtejme ligjore. Njësitet kompetente, përfshirë hetuesit e aksidenteve të trafikut, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti”, ka deklaruar Zahiti. /Zëri