Gjashtë raste të dhunës në familje në ditën e Bajramit, gra shumica e viktimave
Foto: Zëri / Ilustrim

Gjashtë raste të dhunës në familje në ditën e Bajramit, gra shumica e viktimave

Kronika June 17, 2024 - 09:01

Dhuna në familje vazhdon të jetë shqetësim në vendin tonë.

Policia e Kosovës ka në raportin ditor ka bërë të ditur se vetëm në ditën e Kurban Bajramit janë raportuar gjashtë raste të dhunës, ku shumica janë gra, shkruan Zeri.info.

Sipas Policisë, vetëm në rajonin e Prishtinës janë raportuar pesë raste të dhunës në familje dhe një në rajonin e Pejës, përderisa disa prej të dyshuarve janë arrestuar e disa të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Më poshtë jua sjellim të gjitha rastet e dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës:

Dhunë në familje

Lipjan / 16.06.2024 – 10:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, në vazhdimësi është duke ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka udhëzuar që rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Fushë-Kosovë / 16.06.2024 – 10:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti sipas bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare, para një kohe e kishte sulmuar fizikisht atë, si dhe nuk përkujdesej si duhet për familjen e tyre. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Fushë-Kosovë / 16.06.2024 – 12:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Obiliq / 16.06.2024 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën - djalin e tij të mitur, derisa ishte duke lozur. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin, është liruar në procedurë të rregullt.

Fushë-Kosovë / 16.06.2024-16:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi pas një mosmarrëveshjeje verbale e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Dhunë në familje

Istog / 15.06.2024 – 17:00. Viktima femër kosovare ka lajmëruar se pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj, të dyshuarin kosovar, i njëjti është duke ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /Zëri