Aktakuzë ndaj dy rusëve që u kapën në Jarinjë
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj dy rusëve që u kapën në Jarinjë

Kronika May 06, 2024 - 14:50

Dy persona me pasaporta ruse (një mashkull dhe një femër), të cilët nuk kishin viza të Republikës së Kosovës, janë hasur mbrëmë në dalje të pikës kufitare në Jarinjë.

Policia, përmes raportit 24-orësh, bëri të ditur se të dy janë ndaluar me vendim të prokurorit.

E nga ana tjetër zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka thënë për Telegrafin se për të dy personat e ndaluar është ngritur aktakuzë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë për dy personat e ndaluar ka ngritur aktakuzë me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës, për shkak të veprës penale ‘Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare’”, ka thënë Preteni.

Ndryshe, Policia në raportin 24-orësh bëri të ditur se personat e dyshuar kishin thënë se kanë ardhur nga Nishi i Serbisë dhe kanë përfunduar në SPK Jarinjë, derisa dyshohet se kanë ardhur rrugëve ilegale.