
IPK-ja kërkon suspendimin e drejtorit të Policisë që dyshohet për dhunë në familje
Ditë më parë një grua ka rrëfyer për media për dhunën psiqike e fizike që burri i saj ka ushtruar mbi të.
I dyshuari është Riza Murati, drejtor i hetimeve për trafikimin me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës, shkruan Zeri.info.
Sot Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ndaj të njëjtit është rekomanduar masa e suspendimit.
“Duke marrë për bazë dyshimin për veprën penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i kapitenit policor.
Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit”, thuhet në komunikatë. /Zëri
Komunikata e plotë:
IPK rekomandon suspendimin e një kapiteni policor
Prishtinë/Hajvali, 19 prill 2024,
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një kapiteni policor respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.
Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.
Hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte/ deklarata lidhur me veprimet hetimore.
IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente.
Duke marrë për bazë dyshimin për veprën penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i kapitenit policor.
Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.
Me respekt;
Divizioni për bashkëpunim dhe informim
Inspektorati Policor i Kosovës