Ndalohen dy persona në Jarinjë, u gjenden thika taktike dhe veshje me simbole nacionaliste
Foto: Policia e Kosovës

Ndalohen dy persona në Jarinjë, u gjenden thika taktike dhe veshje me simbole nacionaliste

Kronika September 19, 2026 - 19:19

Policia e Kosovës ka ndaluar për kontroll në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë një automjet me targa të Serbisë, në të cilin ndodheshin dy persona.

Sipas Policisë, automjeti është ndaluar në vijën e dytë të kontrollit, pas një dyshimi të bazuar, gjatë kontrolleve të shtuara për parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar pesë thika, dy prej të cilave taktike/luftarake, një kamerë GoPro me mbajtës, dy bluza me simbole dhe mbishkrime nacionaliste, dy pajisje multifunksionale, një flamur të Serbisë, një vulë me katër “S” dhe një ID-kartë.

Në mesin e mbishkrimeve në bluzat e sekuestruara ishin “Freedom or Death”, “Defend Europe since - 1312” dhe “Regrut”.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka iniciuar rastin “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”. Dy personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. /Zëri