Publikonte video duke tejkaluar shpejtësinë, Policia ia heq të drejtën e vozitjes
Foto: Facebook

Publikonte video duke tejkaluar shpejtësinë, Policia ia heq të drejtën e vozitjes

Kronika March 25, 2024 - 12:30

Policia në Gjilan sot ka identifikuar një shofer, i cili ka publikuar video duke vozitur 222 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë së lejuar ishte 50 km/h.

“Njësiti rajonale i trafikut rrugor Gjilan falë bashkëpunimit me media dhe si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve operative dhe hetimore ka identifikuar kundërvajtësin i cili në rrjete sociale ka publikuar një video incizimi, në të cilin shihet se në fshatin Bresalc, aksi rrugor Prishtinë-Gjilan duke vozitur automjetin e tij me shpejtësinë dyqind e njëzet e dy (222) km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë së lejuar është pesëdhjetë (50) km/h”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq shoferit i është ndaluar e drejta e vozitjes për tre muaj, tri pikë negative, si edhe 300 euro gjobë, transmeton Zeri.info.

“Të njëjtit konform ligjit për rregullat në trafikun rrugor i është shqiptuar gjoba në vlerë prej treqind (300) euro, tri (3) pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim vozitjes së mjeteve motorike në afat prej tre (3) muaj”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan i apelon vozitësit të respektojnë ligjet e trafikut rrugor, si edhe bën thirrje që mediat dhe qytetarët të lajmërojnë Policinë për kundërvajtjet që mund të ndodhin.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon vozitësit t’i respektojnë normat dhe ligjet e trafikut rrugor, po ashtu inkurajon mediat dhe qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion të njoftojnë stacionin më të afërm të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’, e-mail: [email protected] dhe numrat kujdestarë:192; 0385045047001”, thuhet në njoftim. /Zëri