Edhe nga dy muaj paraburgim gjashtë të arrestuarve për grabitjen në Suharekë

Edhe nga dy muaj paraburgim gjashtë të arrestuarve për grabitjen në Suharekë

Kronika January 05, 2024 - 13:46

Gjykata Themelore në Prizren ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj tre të dyshuarve për grabitjen në Suharekë, Bujar Basha, Besart Istrefi dhe Leutrim Cakolli. Herën e parë paraburgimi prej një muaji të arrestuarve u ishte caktuar më 1 dhjetor 2023.

Vendimi është marrë më 28 dhjetor 2023, derisa masa e paraburgimit u është caktuar deri më 29 shkurt 2024.

Kjo është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.

Edhe Trim Barakut i është vazhduar paraburgimi, i cili dyshohet për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, paraburgimi u është vazhduar edhe Fatmir Tahirit dhe Albin Beqirit, të cilët dyshohen për dhënie të ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale.

Ndaj Tahirit dhe Beqirit është vazhduar masa e paraburgimit deri më 25 shkurt 2024.

Ditën kur ndodhi grabitja u njoftua se një polic u plagos dhe një tjetër mori lëndime.

Shuma e arit të grabitur konsiderohet të jetë 250 mijë euro, grabitje kjo që ndodhi pasditen e së 22 nëntorit 2023 në një argjendari në Suharekë.

“Betimi për Drejtësi” kishte publikuar pamjet nga momenti i grabitjes, ku ishin shkrepur edhe armët nga hajnat dhe Policia gjatë grabitjes që po ndodhte në qendër të qytetit të Suharekës. /BetimipërDrejtësi