Arrestohet drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë-Kosovë
Drejtori i Shërbimeve Publike, Maliq Berisha, është arrestuar pasditen e së hënës dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Berisha dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”.
Berisha është ndaluar me urdhër të prokurorit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime të mëtejme ligjore, si dhe për këtë çështje penale do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me Policinë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
Ndalohet një person për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të pozitës zyrtare
Prishtinë, 6 nëntor 2023 – Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e M.B., drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë-Kosovës, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, sipas KPRK-së.
I dyshuari i lartcekur është ndaluar me urdhër të prokurorit në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime të mëtejme ligjore, si dhe për këtë çështje penale do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me Policinë. /Zëri