
U dogj vetura me targa serbe ku brenda saj kishte eshtra njeriu, Prokuroria jep detaje
Një veturë është gjetur e djegur në Podujevë, ku brenda saj ka mbetje kockore të njeriut.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, përmes një njoftimi për media, duke mos dhënë detaje të hollësishme, ka bërë të ditur se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit.
“Më datë 04.02.2025 prokurori kujdestar është informuar nga Stacioni Policor në Podujevë për gjetjen e një veture të djegur dhe me rastin e ekzaminimit ka rezultuar se brenda saj ka prezencë të mbetjeve kockore, me ç’rast prokurori i Shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjekoligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë, pa ndërhyrje:
Komunikatë për media nga Prokuroria Themelore në Prishtinë
Prishtinë, 05.02.2025 – më datë 04.02.2025 prokurori kujdestar është informuar nga Stacioni Policor në Podujevë për gjetjen e një veture të djegur dhe me rastin e ekzaminimit ka rezultuar se brenda saj ka prezencë të mbetjeve kockore, me ç’rast prokurori i shtetit ka angazhuar ekspertin antropolog mjekoligjor, i cili ka konstatuar se këto mbetje janë të njeriut. Më pas, prokurori i Shtetit ka autorizuar dhe në koordinim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit. Duke pasur parasysh që jemi në fazën fillestare të rastit, për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo prokurori i shtetit është i përkushtuar që në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit të zbardhë në tërësi rastin. /Zëri