Arrestohet avokati në Gjilan, ia mori 8000 euro klientit duke i premtuar ‘blerjen’ e kolegjit të gjyqtarëve
Një avokat është arrestuar sot në Gjilan nën dyshimin e veprës penale “ushtrim i ndikimit”.
Policia ka njoftuar se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve preliminare, sot ka arrestuar personin e dyshuar H.J., (avokat, mashkull kosovar, viti i lindjes 1985), pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit”.
Në njoftim thuhet se i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan me premtimin që këto para i t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari.
“Pas intervistimit i dyshuari, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prishtinë ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftim. /Zëri