Arrestohen dy të dyshuar në Podujevë, dyshohen për trafikim me armë

Arrestohen dy të dyshuar në Podujevë, dyshohen për trafikim me armë

Kronika October 13, 2022 - 16:34

Zyrtarë policorë nga Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, ka hartuar dhe ka zbatuar një plan operativ.

Sipas njoftimit thuhet se gjatë ditës së sotme në rajonin e Podujevës, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për trafikim me armë.

“Arrestimi i tyre është bërë gjatë një plani operativ të hartuar nga zyrtarët policorë të Njësisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente”, thuhet në njoftim.

“Njësitet policore nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në këto lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve. Në asistencë të realizimit të këtij plani operativ kanë marrë pjesë edhe Njësia Speciale Operative dhe K9 (Njësia me qen)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar këto prova materiale: tri armë (dy AK47, një revole), 219 fishekë kalibra të ndryshëm dhe pjesë për armë të kalibrave të ndryshëm, një maskë dhe dy telefona mobilë.

Ndaj të dyshuarve iniciohet rasti nën dyshimin e përfshirjes në dy vepra penale: ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë. /Zëri 

Image