U rrahën me karrige e shishe të xhamit, një muaj paraburgim për gjashtë persona në Prizren

U rrahën me karrige e shishe të xhamit, një muaj paraburgim për gjashtë persona në Prizren

Kronika August 06, 2021 - 16:50

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj gjashtë personave.

Kjo pasi të pandehurit, M.H., Sh.H., E.A., D.D., D.K., dhe M.Xh., dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndimi i rëndë trupor”.

Nga kjo gjykatë kanë bërë të ditur se të dielën (1 gusht) në orët e mesnatës në Prizren, gjashtë të dyshuarit me dashje i sulmojnë të dëmtuarit në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes së atëçastshme në mes të të pandehurve dhe të të dëmtuarve, të njëjtit fillimisht fjalosen në mes vete, më pas të pandehurit i sulmojnë të dëmtuarit duke i goditur me grushte, karrige dhe shishe të xhamit – mjete këto të rrezikshme dhe që mund të shkaktojnë lëndime të rënda trupore, me ç‘rast si rezultat i goditjeve të dëmtuarit pësojnë lëndime të rënda trupore sipas raporteve mjekësore.

“Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit për të pandehurit është më se i domosdoshëm, duke pasur mënyrën dhe rrethanat që dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale, dhe atë dyshohet se e kanë kryer me përdorimin e mjeteve të rënda e të forta, siç janë: karriget, shishet e xhamit, padyshim se shton pasojat më të rënda të veprës penale”, thuhet në njoftim.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj 6 (gjashtë) të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit. Vendimi është marrë bazuar në provat e mbledhura deri në këtë fazë, siç janë foto dokumentacioni dhe video-incizimi nga vendi i ngjarjes të natës kritike. /Zëri