Paraburgim ndaj shtetasit shqiptar që mbolli kanabis në zonën e Koshares

Paraburgim ndaj shtetasit shqiptar që mbolli kanabis në zonën e Koshares

Kronika August 06, 2021 - 16:26

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar e masën e paraburgimit prej 1 muaji ndaj shtetasit nga Shqipëria A.H., i cili është arrestuar dje pas dyshimit se ka mbjellë dy parcela me bimë narkotike në zonën e Koshares.

I dyshuari, sipas Gjykatës, me datë 5 gusht, 2021, në zonën e Koshares, ka kultivuar bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, më pas t’i shesë, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore.

“Me këto veprime i pandehurit A. H., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’, vepër kjo e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Shaqir Zika, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi, sipas tij, caktimi i masave tjera alternative do të ishte i pamjaftueshëm për zhvillimin me sukses të procedurës penale. /Zëri