Tentoi të privonte nga jeta një person, paraburgim për ferizajasin
Foto ilustruese

Tentoi të privonte nga jeta një person, paraburgim për ferizajasin

Kronika August 02, 2021 - 16:49

I është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit A.D. nga Ferizaj, pasi ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, më datë 01 gusht i dyshuari A.D. së bashku me të dyshuarin tjetër B.M. dhe një të mitur, kanë tentuar ta privojnë nga jeta F.H.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri dyshohet se 01.08.2021, në Ferizaj së bashku me të pandehurin B.M. dhe një të mitur, të cilët deri më tani janë në arrati, me dashje kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin F.H., në atë mënyrë që pas një fjalosje mes tyre, fillon një përleshje fizike, me ç’rast të pandehurit me përdorimin e mjeteve të përshtatshme për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor-thika, e godasin të dëmtuarin në pjesën e pasme të shpinës, përkatësisht në anën e djathtë, si dhe dy herë të tjera në krahun e majtë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim po ashtu theksohet se si pasojë e këtyre goditjeve F.M. ka marrë ndihmë mjekësore fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, e më pas në QKUK në Prishtinë, ku akoma është duke vazhduar trajtimi i të njëjtit. /Zëri