Aksione në Gjakovë e Mitrovicë kundër shoferëve të dehur

Aksione në Gjakovë e Mitrovicë kundër shoferëve të dehur

Kronika August 02, 2021 - 16:24

Gjatë muajit korrik, Policia e Kosovës në Gjakovë ka konfiskuar 122 patenta shoferi për shkak të përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e automjeteve.

Policia e Kosovës thotë se është arritur efekti i dëshiruar, pasi që gjatë periudhës qershor - korrik, nuk ka pasur aksidente me pasoja fatale dhe sipas tyre drejtuesit e automjeteve kanë filluar të vetëdijesohen.

“Përveç kundërvajtjes së alkoolit, NJRKRR-DRP Gjakovë është marrë edhe me kundërvajtje të ndryshme të cilat janë shkaktarët kryesorë në aksidentet rrugore dhe kanë gjobitur 2205 drejtues të mjeteve. NJRKRR-eDRP-e Gjakovë, do të vazhdojë me marrjen e masave të njëpasnjëshme, gjithmonë me qëllimin e rritjes së sigurisë rrugore dhe arritjes së efektit të dëshiruar në parandalimin e aksidenteve rrugore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Masa të njëjta ka marrë edhe Policia në Mitrovicë, të cilët gjatë këtij vikendi kanë shtuar kontrollet për alkooltest.

Sipas njoftimit, në vikend janë realizuar rreth 72 kontrolle me alkooltest dhe janë shqiptuar pesë gjoba për kundërvajtje në trafik, ndërsa në një rast një person është ndëshkuar për dehje në vend publik.

“Kontrolle të tilla me alkooltest janë aplikuar në të gjithë zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Jug, si në rrugët nacionale, rajonale mirëpo duke mos përjashtuar edhe rrugët lokale dhe ato në brendësi të qyteteve. Policia në Mitrovicë edhe ditëve në vazhdim do të vijojë me këto masa të shtuara me qëllim të identifikimit të rasteve dhe ndëshkimit të gjithë atyre drejtuesve të cilët drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit dhe në këtë mënyrë rrezikojnë pjesëmarrësit në trafik por edhe veten e tyre”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë. /Zëri