Policia nuk po i fal as kolegët e vet për shkelje në trafik

Policia nuk po i fal as kolegët e vet për shkelje në trafik

Kronika June 17, 2021 - 23:35

Policia e Kosovës po vazhdon të apelojë te qytetarët që të vetëdijesohen gjatë pjesëmarrjes në komunikacion.

Në të njëjtën kohë, PK-ja po e vazhdon bashkëpunimin me qytetarë duke gjobitur të gjithë ata shoferë që po bëjnë shkelje në trafik, e të cilët po fotografohen e incizohen nga qytetarët.

Kësaj radhe, Policia ka treguar se ka gjobitur një koleg të vetin, pasi i njëjti ishte fotografuar me veturën zyrtare duke tejkaluar në vijë të plotë.

“Automjeti që shihni në këtë foto është i Policisë së Kosovës, ndërsa pas pranimit të informacioneve relevente është identifikuar shoferi i tij dhe Policia ka marrë masat adekuate, përfshirë edhe shqiptimin e gjobës ndaj këtij punonjësi policor. Kerkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, qofshin ata edhe zyrtarë policorë apo të tjerë, të ju përmbahen rregullave në trafik sepse zero tolerancë do të aplikohet ndaj secilit pa dallim”, njofton Policia.

Kujtojmë se kontrollet nga ana e policëve të trafikut janë shtuar pas ngjarjes tragjike që ndodhi kohë më parë në Koshare të Ferizajt ku mbetën të vdekur pesë anëtarë të një familjeje.

Nënkolonel Jeton Rexhepi, nga Policia e Kosovës, gjatë tryezës me temën “Vlerësimi i gjendjes së sigurisë rrugore nga perspektiva shkencore dhe akademike”, organizaur nga Fakulteti i inxhinierisë mekanike i universitetit “Hasan Prishtina” dhe akademia “Tempulli”, theksoi se duke e krahasuar me vitin 2019, në vitin 2021 numri i rasteve me fatalitet ka shënuar rritje për 9 raste më shumë.

Sipas tij, në periudhën janar-maj 2021 kanë humbur jetën 42 persona në aksidente trafiku. /Zëri

 

Image

Image