I burgosuri vetëvritet në Burgun e Dubravës

I burgosuri vetëvritet në Burgun e Dubravës

Kronika August 07, 2020 - 10:26

Një i burgosur në Qendrën Korrektuese në Dubravë është gjetur i pajetë në dhomën e tij. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se viktima është vetëvrarë në krevatin e tij në lartësi 1.5 metër, rreth orës 7:30.

“I njëjti në dhomë ishte i vetëm dhe për të kryer vetëvarjen ka përdorur shtratin e tij të dhomës. Kjo mënyrë e aktit të vetëvarjes është mënyrë e paparë deri më tani për organet e SHKK-së, pasi ato në rastet tjera kanë ndodhur kur akti i vetëvrasjes është kryer në lartësi më të madhe, por kjo nga krevati me një lartësi më pak se 1.5 metra është shumë habitshme”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Stafi korrektues dhe ai mjekësor i Qendrës kanë intervenuar menjëherë, mirëpo pavarësisht përpjekjeve nuk kanë mundur ta shpëtojnë.

“Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin, ndërsa SHKK-ja ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK-ja, i cili do të dalë me raport administrativ përfundimtar”, theksohet në njoftim.

SHKK-ja deklaron se do të punojë shumë ngushtë me organet tjera relevante që të zbulojë të gjitha arsyet e kësaj ngjarjeje. Personi në fjalë ishte i dënuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”. /Zëri