Infektuar: 1038
Shëruar: 791
Vdekur: 30
Mbi 100 policë me probleme psikike, Policia s’mund t’i përjashtojë nga puna
Foto: Laura Hasani

Mbi 100 policë me probleme psikike, Policia s’mund t’i përjashtojë nga puna

Kronika February 20, 2020 - 08:13
Image

Mbi 100 policë vazhdojnë të punojnë në Kosovë, pavarësisht se kanë probleme të shëndetit mental. Për shkak të ligjit këta policë nuk mund të përjashtohen nga puna, shkruan sot gazeta Zëri.

Valdete Bllaca, e cila kishte qenë zyrtare policore, dyshohet se të martën ka vrarë katër anëtarë të familjes së saj, prindërit e dy vëllezërit, e më pastaj ka bërë vetëvrasje. Në medie është raportuar se Bllaca kishte pasur edhe probleme psikike.

Me probleme të tilla thuhet të jenë edhe mbi 100 zyrtarë të tjerë policorë, të cilët pavarësisht se vuajnë nga sëmundjet mentale vazhdojnë të punojnë.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë për medie të mbajtur dje në Gjilan ka pranuar se rreth 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë probleme psikike, derisa është shprehur se për shkak të mungesës së Ligjit për Policinë duhet t’i mbajnë në punë. “Kemi kolegë, të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme, sëmundje të rënda, duke përfshirë edhe ata të cilët vuajnë nga problemet psikike. Për shkak të mosekzistimit të ligjeve adekuate ne duhet t’i mbajmë në punë dhe maksimalisht bëjmë përpjekje t’i sistemojmë”, ka theksuar ai.

Të gjithë policëve me probleme mentale Policia e Kosovës u ofron shërbime rehabilituese mjekësore. Ajo kishte shpallur edhe tender në vlerë rreth 13 mijë eurosh për trajtimet mjekësore.

Sociologë në vend thonë se qytetarët mund të jenë të rrezikuar në rast se policët me probleme të tilla vazhdojnë të punojnë. Sipas tyre, policët duhet të ofrojnë siguri për qytetarët e jo të jenë kërcënim për ta.

Kujtojmë se Inspektorati Policor i Kosovës në vitin 2018 kishte kërkuar pezullimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë me probleme psikike.

Veliu: Do të punojmë në Ligjin për Policinë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur dje në takim ministrin e Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike Agim Veliun dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalajn. Me këtë rast ministri i Brendshëm, Agim Veliu, derisa shprehu ngushëllime për vrasjen e pesëfishtë në Gjilan deklaroi se do të punojnë në Ligjin për Policinë, për pensionimin e parakohshëm të policëve, të cilët janë me sëmundje të ndryshme. “Jua shpreh ndjenjën e keqardhjes për rastin, i cili ka ndodhur dje. Ne do të kemi kujdes që të punojmë shumë edhe në Ligjin për Policinë, për pensionimin e parakohshëm të policëve, të cilët janë me sëmundje të ndryshme dhe për shkak të ligjeve ekzistuese tani për tani nuk mund të merren masa. Këtë rast do ta trajtojmë ashtu si duhet dhe të nxjerrim mësime, në mënyrë që të mos përsëriten raste të tilla”, ka theksuar ai.

Ndërsa kryetari Haziri ka bërë të ditur se janë duke u bërë gati për t’ua dhënë lamtumirën e fundit viktimave. “Trupat e pajetë janë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ne po presim që një pjesë e familjes të vijë nga Kanadaja në Gjilan dhe po përgatitemi për ceremoninë e varrimit bashkë me komunitetin e Cernicës dhe me familjen Bllaca”, ka thënë ai.

Peci: Kosova s’ka strategji, e cila do të siguronte një shëndet mendor të mirëfilltë

Psikologu Besnik Peci ka thënë për “Zërin” se për të gjithë qytetarët nevojiten plane strategjike kombëtare për ta promovuar shëndetin mendor. Sipas tij, po qe se nuk i kushtohet një kujdes i veçantë kësaj fushe raste të tilla si ai që ndodhi në Gjilan shumë shpejt mund të aktivizohen dhe mund të kemi pasoja të kësaj natyre. “Në një shoqëri normale mesatarja e popullatës, e cila ka tendenca të ketë çrregullime mendore, është deri në 20 për qind. Po qe se një shoqëri e caktuar siç është kjo jona ka dalë nga lufta, kjo mesatare ka tendencë të jetë më e lartë, që do të thotë, në mesin e popullatës sonë ka nevojë imediate për kujdes dhe për masa mbi shëndetin mendor”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë tutje se deri tani në vend nuk ka pasur strategji, e cila do të siguronte një shëndet mendor të mirëfilltë për qytetarët, andaj si pasojë e mungesës së kësaj strategjie është rritur edhe numri i vrasjeve e i vetëvrasjeve. “Si indikator i mungesës së strategjisë kombëtare është numri i madh i vetëvrasjeve, numri i madh i vrasjeve, i abuzimeve të ndryshme që kanë ndodhur në vendin tonë dhe është numri i madh i nivelit të pakënaqësisë qytetare. Unë konsideroj se nuk është punuar as përafërsisht sa duhet të punohet në këtë drejtim për ta promovuar shëndetin mendor, për ta ruajtur higjienën mentale, për të ofruar supervizion nëpër vende të punës e për të ofruar shërbime psikologjike me dhe pa pagesë”, ka shtuar ai.

Xërxa: Policët duhet të ofrojnë siguri, jo të jenë kërcënim për qytetarët

Sociologu Genc Xërxa ka thënë për “Zërin” se policët duhet të ofrojnë siguri për të tjerët e jo të jenë kërcënim për rrethin e për veten. Ai është shprehur se ka çalim në komunikim mes mekanizmave përcjellës të Policisë dhe qarqeve adekuate, në mënyrë që të merren masa nëse një polic nuk është në gjendje të ofrojë siguri. “Kontrollet mjekësore të shëndetit të tyre mendor dhe në përgjithësi psiko-fizik duhet të bëhen rregullisht në perioda të caktuara, e nëse vërejnë ndonjë të metë në shëndet, departamentet e caktuara nga mjeku i punës duhet të njoftohen dhe t’u jepen rekomandime se polici në fjalë a është i aftë të mbajë armën ose jo”, ka potencuar ai.

Sa i përket rastit të fundit në Gjilan, Xërxa ka thënë se kjo gjë tregon se institucionet në vend kanë probleme. Ai ka theksuar se qytetarët gjithnjë i kanë besuar Policisë, por ngjarjet e tilla po e zbehin besimin sidomos kur opinioni po bëhet dëshmitar i vrasjeve të rënda. “Ky akt është mjaft shqetësues dhe duhet marrë masa radikale në parandalimin e akteve të tilla. Duke ditur që shumë avancime dhe gradime janë bërë në detyrë nga njerëzit jokompetentë, tani këta mekanizma zinxhiror po kanë pengesa dhe po bëhen mospërputhje drejt kryerjes së detyrave në mënyrë profesionale”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër specialisti i psikologjisë klinike dhe psikoterapisë, Imri Zabeli, ka alarmuar për nevojën e shërbimeve të kësaj fushe. Ai ka thënë se së paku dy herë në vit duhet të bëhen konsultime psikologjike për punonjësit e sigurisë dhe të emergjencave. “Vazhdoj të tërheq vëmendjen për nevojën e shërbimeve psikologjike nëpër institucione. Punonjësit në institucionet e sigurisë dhe të emergjencave i ekspozohen stresit të vazhdueshëm. Konsultimet dhe mbështetja psikologjike duhet të jenë shërbime të domosdoshëm. Për të shmangur çfarëdo paragjykimi, stigme, duhet që konsultimet psikologjike të bëhen të obliguara së paku dy herë në vit për të gjithë punonjësit e sigurisë dhe të emergjencave”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social “Facebook”. /ZERI