Shala: Policëve është duke iu mohuar një e drejtë themelore
FOTO: Zëri

Shala: Policëve është duke iu mohuar një e drejtë themelore

Kronika January 31, 2020 - 11:09
Sami Thaqi, 38-vjeçar, është zyrtari i 21-të policor i Kosovës, i cili ka humbur jetën në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë. Rasti i parë i vrasjes së një zyrtari policor është regjistruar në shtator të viti 2001, ndërsa qysh nga ajo kohë shqetësimi më i madh është ngritur për mungesën e sigurimit shëndetësor e jetësor për të gjithë ata zyrtarë, të cilët primare e kanë përkujdesjen për sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend

Kjo javë e ka zënë Policinë e Kosovës në vorbullën e telasheve. Përveç mërzisë për humbjen e kolegut të tyre nga Njësia Antidrogë, Sami Thaqi, dhe plagosjes së dy të tjerëve në një sulm me eksploziv në mbrëmjen e së martës, në fshatin Zhur të Prizrenit, zyrtarët policorë të Kosovës janë më se të shqetësuar për mungesën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për ta, shkruan sot gazeta "Zëri".

Edhe 21 vjet pas luftës dhe 20 vjet nga themelimi i Institucionit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët policorë ende nuk janë duke e gëzuar një të drejtë themelore që u takon atyre. E raste si ai i të martës, sipas njohësve të sigurisë në vend, mund të ndodhin edhe më tutje në rast se për zyrtarët policorë nuk fillojnë trajnimet e nevojshme, qofshin ato edhe për bastisjet policore, për arrestimet e të dyshuarve ose për aksione të tjera madhore.

Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala duke komentuar rastin e fundit, ku një pjesëtar policor humbi jetën nga eksplozivi që plagosi edhe dy të tjerë, pohoi se është e rëndë që edhe pas 21 vjetësh nga lufta të mungojnë sigurimet shëndetësore për zyrtarët policorë.

“Në lidhje me rastin ‘Zhur’, është e rëndë se nga një rast dhune familjare të kemi humbjen e jetës së zyrtarit e plagosjen e dy të tjerëve dhe mbi të gjitha lëndimi i një fëmije në këtë rast. Sa i përket faktit se 21 vjet pas luftës spektri politik në vend ende nuk ka mundur të pajtohet që kjo kategori të gëzojë një të drejtë themelore, që ndërlidhet më sigurimin shëndetësor”, ka thënë Shala për “Zërin”.

Ai e konsideruar si veprim të gabuar ndarjen e parave për këta zyrtarë, pasi kjo çështje do të duhej të ishte e rregulluar me normë juridike.

“Kjo po e dëshmon që pas rasteve ku kemi humbje jetësh qeveritë po shpërndajnë ndihma financiare për këta zyrtarë e që është gabim, sepse duhet ta kemi të rregulluar në formën e normës juridike”, ka thënë tutje ai./ZERI

Lexo edhe Zyrtarët policorë qe 20 vjet pa sigurim jetësor e shëndetësor
Aktuale January 31, 2020