I akuzuari për terrorizëm: Gjykohem veç me ligj të Allahut

I akuzuari për terrorizëm: Gjykohem veç me ligj të Allahut

Kronika dhjetor 12, 2017 - 17:35

Artan Kadriu i akuzuar për pjesëmarrje në luftërat e huaja, tha se pranon të gjykohet veç me ligje të Allahut.

Artan Kadriu, i akuzuar për terrorizëm, gjatë fjalës së tij përfundimtare tha se i bindet vetëm fjalës së Allahut dhe se asnjë ligj tjetër nuk mund ta gjykojë atë.

“Fillimisht desha me thënë se unë nuk pranoj të gjykohem me ligje të cilat i kanë vendosur njerëzit, i vetmi ligj që unë e pranoj të gjykohem është ligji i Allahut, krijuesit të gjithësisë”, tha i akuzuari për vepra që lidhen me terrorizëm.

Ai konsideroi se do të bëhej jobesimtar, sikur të pranonte gjykimin nga ligjet njerëzore.

“Sikurse të kisha pranuar ndonjë gjykim tjetër, përpos ligjit të Allahut, atëherë do të kisha mohuar fenë time dhe do të isha bërë prej pabesimtarëve”, tha i akuzuari Artan Kadriu.

Ai u deklarua i pafajshëm, pasi tha se as nuk ishte në Siri, e as nuk ishte pjesë e ndonjë formacioni ushtarak të huaj.

Por prokurori i rastit Abdurrahim Islami në fjalën përfundimtare kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarin Artan Kadriu ta shpallë fajtor dhe të njëjtin ta dënojë sipas ligjit.

Sipas prokurorit, nga provat që ekzistojnë në shkresat e lëndës dhe nga dëshmia e dëshmitarit- të dënuarit Arian Alijaj, kanë arritur të vërtetohen të gjitha theksimet e përshkruara në dispozitivin e aktakuzës.

Kurse avokati i Artan Kadriut, Ahmet Gjinovci, tha se ai e kundërshton aktakuzën pasi që, sipas tij, me provat e administruara nuk është provuar se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale, e cila i vihet në barrë.

“Të gjitha provat tregojnë se Artani është zënë duke kaluar nga Turqia dhe duke hyrë në Siri. Në seancën e kaluar u dëgjua edhe Arian Alijaj, ai në asnjë rrethanë nuk e involvon të mbrojturin tim që ka udhëtuar nga Siria në Turqi, apo të ketë udhëtuar me të. Për herë të parë e ka parë kur kanë qëndruar bashkë në burg, askund nuk figuron me asnjë provë se është zënë duke hyrë nga Siria në Turqi”, deklaroi avokati Gjinovci.

Por me fjalën e avokatit nuk u pajtua vetë i mbrojturi i tij, duke thënë se mund të mbrohet vetë.

Sipas aktakuzës, Artan Kadriu në mars të vitit 2016 u është bashkuar grupeve- formacioneve të jashtme paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë dhe në momentin kur nga shteti i Sirisë ishte duke u kthyer- hyrë në territorin e Turqisë është ndaluar nga autoritetet turke së bashku me disa persona të tjerë.

Me këtë prokuroria pretendon se Kadriu ka kryer veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj.

Së bashku me të i akuzuar kishte qenë edhe Arian Alijaj, por i njëjti ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Aktgjykimi do të shpallet me datën 15 dhjetor, ndërsa i akuzuari kërkoi nga trupi gjykues që atë ditë ai të mos marrë pjesë gjatë shpalljes së aktgjykimit.