Rrethrrotullimi i vdekjes

Kronika July 29, 2017 - 08:16

Katër anëtarë të familjes Alidemaj kanë humbur jetën të premten në orët e hershme, derisa automjeti tyre ka rënë nga rrethrrotullimi i madh në hyrje të Prishtinës. Po në të njëjtin vend edhe më herët kanë rënë veturat, pasi që mburojat e vendosura janë vetëm sa për sy e faqe, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Katër persona kanë humbur jetën të premten në orët e hershme të mëngjesit derisa automjeti i tyre ka rënë nga rrethrrotullimi i madh në hyrje të Prishtinës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se  E. Alidemaj, 53 vjeç, mashkull, shtetas gjerman, E. Alidemaj, 50 vjeç, mashkull, shtetas kosovar, G. Alidemaj, 53 vjeçe, femër, shtetase gjermane, N. Alidemaj, 47 vjeçe, femër, shtetase kosovare, kanë humbur jetën të premten rreth orës 1:00 të mesnatës si pasojë e aksidentit, i cili ka ndodhur në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë.

Nga ky aksident, ku ishte e përfshirë vetura  “Audi” ngjyrë e zezë, me targa të huaja, ka mbetur i lënduar rendë edhe anëtari i pestë i kësaj familjeje, Q. Alidemaj, 17 vjeç, mashkull, shtetas kosovar, i cili aktualisht është duke u trajtuar në QKUK, Prishtinë.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se në aksident ishte e përfshirë vetura “Audi”, ngjyrë e zezë, me targa të huaja.

Tutje në komunikatë ata kanë bërë të ditur se, në bazë të ekspertizës së bërë, në vendin e ngjarjes deri të aksidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë.

LEXO EDHE: Mitrovica e Veriut humb 7.8 milionë euro për fajin e Rakiqit

Tutje Policia ka njoftuar së trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion mjekoligjor, përderisa Policia po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore për t’i sqaruar plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.

Nga ky aksident ka mbetur i lënduar rëndë anëtari i  pestë i kësaj familjeje, Q. Alidemaj, 17 vjeç, mashkull, shtetas kosovar, i cili aktualisht është duke u trajtuar në QKUK. Rexhep Gjyliqi, nga Klinika Intensive në QKUK, ka treguar se gjendja e 17-vjeçarit është kritike, shkruan "Zëri".

“Pacienti me inicialet Q. A, i lindur në vitin 2000, është pranuar në orën 3:00 të mëngjesit me lëndime të rënda, sidomos lëndimet janë të shprehura në pjesën e gjoksit dhe disa brinjë. Gjendja e pacientit është e rëndë, por është nën kontroll, është duke fjetur me barna dhe pritet në vazhdim evoluimi i mëtutjeshëm”, ka thënë Gjyliqi.

Por, nuk është hera e parë kur një automjet ka rënë nga rrethrrotullimi në hyrje të Prishtinës.

Kohë më parë edhe dy automjete tjera kanë rënë po në këtë vend ku kanë humbur jetën të premten 4 anëtarët e familjes Alidemaj.

Drejtori i Rrugëve, Skender Gashi, thotë së në të gjitha rrugët janë të vendosura sinjalizimet të cilat tregojnë problemet dhe pengesat në rrugë.

“Po lidhur me këtë rast ne nuk mund të themi asgjë, sepse i takon Policisë që ta shikojë se pse ka ardhur deri te ky aksident. Por, ajo çka mund të ju themi ne si Ministri është se në atë pjesë janë të vendosura shenjat sinjalizuese, janë të vendosura rrethojat për mbrojtje, pajisjet elastike janë të vendosura dhe është rrugë mjaft e mirëmbajtur, pasi që rrethojat që janë të vendosura në atë pjesë janë komfort standardeve, por që është normale që nuk mund t’i rezistojnë një shpejtësie tejet të madhe, pa dashur që të kritikoj. Ne konsiderojmë që të gjitha rrugët janë të mirëmbajtura, ka raste kur dëmtohen sinjalizuesit, por në vazhdimisht bëjmë monitorimin”, ka përfunduar Gashi.

Ndryshe, në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, që nga janari i vitit 2017 në rajonin Prishtinës kanë ndodhur 16 aksidente me pasoja fatale si dhe mbi 1350 aksidente me lëndime trupore.

Nga këto aksidente kanë humbur jetën 19 persona, ndërsa mbi 2700 janë lënduar.

Andaj Policia ka bërë apel që të gjithë pjesëmarrësit në trafik t’i respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e trafikut dhe veçmas kufizimet e shpejtësisë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e këtyre rasteve.