Prokuroria angazhon edhe një prokuror për hetimin e rastit Dehari

Prokuroria angazhon edhe një prokuror për hetimin e rastit Dehari

Kronika nëntor 10, 2016 - 16:29

Vdekja misterioze dhe në rrethana ende të pa qarta e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, ka bërë që Prokuroria e Themelore e këtij qyteti të angazhoj edhe një prokuror shtesë për zbardhjen e këtij rasti, transmeton "zeri.info".

Zyrtarja për informim e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka bërë të ditur për “zeri.info”, se me qëllim që hetimet për këtë rast të kryhen në mënyrë sa më efikase, Prokuroria Themelore në Prizren ka angazhuar edhe një prokurorë shtese krahas prokurorit të rastit.   

“Ju informoj se Prokuroria Themelore në Prizren, është duke grumbulluar informacione dhe prova lidhur me rastin e tani të ndjerit Astrit Dehari. Me qëllim që hetimet të kryhen në mënyrë sa më efikase është angazhuar edhe një prokuror shtesë përveç prokurorit të rastit, të cilët janë duke ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme hetimore. Në këtë fazë të hetimeve nuk mund të bëjmë publike informata shtesë”, ka thënë Kozmaqi.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur të shtunën që lamë pas në rrethana ende të paqarta në burgun e Prizrenit. Sipas rezultateve të para të ekspertizës mjekoligjore, Dehari ka vdekur si pasojë e asfiksimit apo mungesës së frymëmarrjes. /Zeri