Tension në Irlandë-Izrael, UEFA e heton incidentin: dyshohet edhe për pështymë
Ndeshja mes Irlandës dhe Izraelit, e cila përfundoi 1-1 në Ligën e Kombeve, u shoqërua me tensione të mëdha, veçanërisht jashtë fushës.
Në fund të pjesës së parë, teksa futbollistët po drejtoheshin drejt tunelit të dhomave të zhveshjes, pati një përplasje mes lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit të të dyja skuadrave.
Sipas palës irlandeze, një futbollist izraelit dyshohet se ka pështyrë në drejtim të një anëtari të stafit të Irlandës.
UEFA pritet të shqyrtojë raportin e gjyqtarit spanjoll José Luis Munuera Montero dhe atë të delegatit të ndeshjes, përpara se të vendosë nëse do të ketë procedurë disiplinore.
Për momentin, incidenti mbetet një akuzë dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht. (RTÉë)
Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, konfirmoi se kishte një pretendim për pështymë, por theksoi se nuk e kishte parë vetë momentin.
“Ka pasur një akuzë se dikush është pështyrë, por unë nuk e pashë dhe nuk dua të flas për këtë. Do të shqyrtohet, ashtu si gjithçka tjetër që ka ndodhur mes skuadrave”, deklaroi Hallgrímsson.
Ai shtoi se incidenti mund të shqyrtohet nga komisioni disiplinor i UEFA-s.
Ndeshja u zhvillua në Baëka Topola të Serbisë, pa praninë e tifozëve, dhe përfundoi me rezultatin 1-1.
Irlanda kaloi në avantazh me penalltinë e Troy Parrott, ndërsa Izraeli barazoi në pjesën e dytë përmes Dor Peretz. /Zëri