Inspektorati shqipton 24 gjoba dhe mbyll shtatë lokale, pas 166 inspektimeve
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 166 inspektime gjatë javës së kaluar në tregun e brendshëm dhe në zonat doganore, me ç’rast ka shqiptuar 24 gjoba dhe ka mbyllur shtatë lokale për mungesë të dokumentacionit përkatës.
Sipas njoftimit të IQMT-së, nga 166 inspektimet e realizuara, 74 lëndë janë përmbyllur, ndërsa 92 të tjera kanë mbetur në procedurë për shkak të kërkesës për dokumentacion shtesë ose eliminimit të parregullsive të konstatuara.
Inspektimet janë zhvilluar në disa fusha të mbikëqyrjes së tregut, përfshirë 81 në fushën e konsumit të përgjithshëm, 38 për sigurinë e produkteve, 28 për naftën dhe derivatet e saj, 12 në kuadër të Komisionit për Kushtet Minimale-Teknike dhe shtatë në fushën e mbikëqyrjes metrologjike. Nga 24 gjobat e shqiptuara, shtatë kanë qenë për mospërputhje të çmimeve, gjashtë për mungesë të faturave të prejardhjes së produkteve, tri për shkelje në shitjet online, tri për mosrespektim të orarit të punës dhe dy për mungesë të çmimoreve. Gjobat e tjera janë shqiptuar për parregullsi të ndryshme.
Në kuadër të mbikëqyrjes së tregtisë online janë realizuar 22 inspektime, ndërsa kontrolle janë kryer edhe për verifikimin e peshoreve në furrat e bukës dhe mishtore, si dhe në sektorin e produkteve elektronike dhe të derivateve të naftës.
Gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe tri sekuestrime të produkteve pa dokumentacion të prejardhjes. Disa produkte të tjera janë ndaluar për shitje deri në prezantimin e dokumentacionit përkatës.
IQMT-ja ka zhvilluar gjithashtu 26 inspektime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, lidhur me ofruesit e shërbimeve të masazhit dhe lokalet e natës. Ndërsa, në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik janë kryer edhe katër inspektime për mbikëqyrjen e çmimeve të barnave.
Sipas njoftimit, gjatë javës së fundit janë trajtuar me sukses edhe 30 ankesa të konsumatorëve, të pranuara përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.