Oda e Veterinerëve e Kosovës votohet pro anëtarësimit si vëzhgues në UEVP

Oda e Veterinerëve e Kosovës votohet pro anëtarësimit si vëzhgues në UEVP

Ekonomia November 12, 2026 - 17:53

Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK) ka marrë mbështetjen e anëtarëve të Unionit Evropian të Praktikuesve Veterinarë (UEVP) për anëtarësim vëzhgues sipas statutit të UEVP-së në këtë organizatë profesionale evropiane, pas prezantimit të kërkesës zyrtare për anëtarësim dhe një debati të zhvilluar në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të UEVP-së.

Në emër të OVK-së, prezantimin e historikut institucional, aktiviteteve të deritashme dhe vizionit për të ardhmen e mbajti DMV. Gloria Hylviu, ne cilësinë e Drejtoreshës për Marrëdhënie me Jashtë e OVK-së, në emër të kryetarit të Odës, DMV Hasan Limani.

Gjatë fjalimit, ajo theksoi se kërkesa për anëtarësim nuk është thjesht një kërkesë për përfaqësim në një organizatë evropiane, por shprehje e vullnetit të veterinerëve të Kosovës për t’u bërë pjesë aktive e një komuniteti profesional që ndan vlera, përgjegjësi dhe synime të përbashkëta për zhvillimin e mjekësisë veterinare.

Ajo prezantoi rrugëtimin institucional të Odës që nga themelimi, duke veçuar kontributin e gjeneratave të ndryshme të veterinerëve dhe udhëheqësve të saj, me theks të veçantë në kryetarin e parë, DMV Nexhip Morina, i cili udhëhoqi Odën gjatë viteve 1999–2007.

Ndër arritjet kryesore të OVK-së u përmendën përfaqësimi institucional i veterinerëve dhe mbrojtja e interesave të tyre profesionale, bashkëpunimi me institucionet shtetërore, veçanërisht me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe marrëveshja përmes së cilës Odës i është besuar një rol i rëndësishëm në administrimin e procesit të mikroçipimit dhe dokumentacionit për kafshët shtëpiake.

Po ashtu, u theksuan avancimi i sistemit të identifikimit dhe regjistrimit të qenve dhe maceve, administrimi i pasaportave veterinare, organizimi i seminareve dhe trajnimeve për edukimin e vazhdueshëm profesional, si dhe zhvillimi i bashkëpunimit me organizata profesionale vendore rajonale dhe ndërkombëtare.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua anëtarësimit të OVK-së në Asociacionin Botëror të Veterinarisë (WVA) në vitin 2024, si dhe nënshkrimit, në vitin 2023, të marrëveshjes trepalëshe ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila mundëson liberalizimin e tregut të edukimit të vazhdueshëm profesional dhe njohjen reciproke të trajnimeve për veterinerët e tri vendeve.

Duke prezantuar vizionin për të ardhmen, Znj. Hylviu theksoi se prioritetet e Odës janë përafrimi me standardet evropiane, forcimi i pozitës ligjore dhe institucionale, ngritja e cilësisë së edukimit profesional, mbrojtja e etikës dhe dinjitetit të veterinerit, si dhe fuqizimi i rolit të tij në mbrojtjen e shëndetit publik përmes qasjes “One Health”.

Në përmbyllje të fjalimit, ajo u bëri thirrje përfaqësuesve të odave dhe organizatave anëtare që të mbështesin kërkesën e Kosovës dhe të votojnë pro anëtarësimit të OVK-së në UEVP.

“Ne nuk po kërkojmë vetëm pranimin e një organizate të re në familjen tuaj profesionale. Po kërkojmë mundësinë që veterinerët e Kosovës të kenë një zë më të fuqishëm në nivel evropian, të mësojnë nga përvoja juaj dhe njëkohësisht të ndajnë me ju përvojën, njohuritë dhe kontributin e tyre”, ishte mesazhi i përcjellë në këtë prezantim.

Pas një debati ndërmjet përfaqësuesve të organizatave anëtare, u zhvillua votimi për kërkesën e Kosovës, e cila mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve.

Ndërkohë, delegacioni i Serbisë, votoi kundër duke e mbështetur votën e saje në argumente politike megjithëse ne po diskutojmë për përfaqësim profesional në shkencën veterinare.

Kryetari i OVK-së, DMV. Hasan Limani falënderoi të gjithë kolegët, bordin, të gjithë ata që kanë votuar për OVK-në që të jetë anëtare e UEVP-së.

“Së bashku, për një profesion veterinar më të fuqishëm, më të bashkuar dhe më evropian!”.

Mbështetja për anëtarësimin në UEVP përbën një hap të rëndësishëm për Odën e Veterinerëve të Kosovës drejt integrimit në strukturat profesionale evropiane, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfaqësimit të drejtpërdrejtë të veterinerëve të Kosovës në zhvillimet e profesionit veterinar në Evropë.

OVK falënderon kryetarin e UEVP-së, Dr. Volker Moser, për mbështetjen e tij në procesin e anëtarësimit të Odës së Veterinerëve të Kosovës.

Delegacioni i OVK-së në këtë asamble, përfaqësohet nga: DMV. Hasan Limani – Kryetar, anëtarët e kryesisë DMV. Jusuf Kovaçi e Bujar Zeqiri si dhe administratori DMV. Mentor Barani.

Image
Image