INDEP: Energjia e ripërtëritshme, shtylla kryesore e tranzicionit energjetik në Kosovë

INDEP: Energjia e ripërtëritshme, shtylla kryesore e tranzicionit energjetik në Kosovë

Ekonomia June 23, 2026 - 13:25

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka prezantuar raportin “Krijimi i një kornize të nivelit investues për energjinë e ripërtërishme në Kosovë”, ku edhe u theksua se energjia e ripërtëritshme është një nga shtyllat kyçe në agjendën e gjelbër.

Udhëheqësi i hulumtimit në Institutin INDEP, Dardan Abazi, theksoi se Kosova ka energjinë nga linjiti, por gjithnjë e më shumë po kërkohet që të kalohet te burimet e ripërtëritshme.

“Tema për të cilën do të diskutojmë sot është energjia e ripërtëritshme. Është një nga shtyllat kyçe në pjesën e energjisë në agjendën e gjelbër, që është edhe shtylla e parë e dekarbonizimit. Ky sektor është, le të themi, sektori kyç në procesin e tranzicionit energjetik, sepse Kosova, siç e dini, për një kohë të gjatë dhe në bazë e në shtylla të themeleve të sistemit të vet energjetik, ka energjinë nga linjiti, ndërkohë që kërkohet që gjithnjë e më shumë të kalojmë tek burimet e ripërtëritshme, tek burimet të cilat do t’i sjellin Kosovës edhe energji më të pastër, edhe mbrojtje të mjedisit, edhe integrim më të shpejtë, por edhe, le të themi, një sistem energjetik fleksibil, të hapur, konkurrues, i cili do të jetë bazë për integrimin e mëtejshëm në tregun rajonal”, shtoi ai.

Kurse Zanfina Kabashi, eksperte e hartimit të raportit, tha se sfidë për Kosovën është nëse kjo e fundit mund të krijojë një treg që mundëson, që projektet serioze të financohen dhe të lëshohen në punë.

“Në vitin 2024 Kosova i ka pas 281 megavat në operim edhe sot është në proces mi shtu edhe rreth 70 megavat kapacitet tjetër, mirëpo ato ende nuk janë lëshuar në punë. Prej trageteve që janë vendos prej strategjisë për energji i kemi 1600 megavat që priten me qenë online do të thotë prej 1600 i kemi 281 që për momentin i kemi online, e që kjo tregon që ekziston një gep shumë i madh prej targeteve që i kemi vendos ne si vend edhe është një diskrepancë shumë e madhe në aspekt të zbatimit”, ka thënë ajo.

“Kjo tregon se sfidë në Kosovë është jo me qit target se targeti është i mirë edhe është mirëprit prej krejt akterëve të industrisë, mirëpo sfida e vërtetë është nëse Kosova mundet me mbërri me kriju një treg i cili mundëson që projektet serioze me u financu edhe me u lëshu në punë. Pse ka rëndësi me ndodhë qeky sen? Është se sistemi jonë është ende shumë i varur prej gjenerimit në linjit edhe në kohën kur Kosova varet shumë prej importit ose gjatë dimrit varësisht prej mënyre si harxhon energji ka kufizime të rrjetit, kufizime teknike edhe ka nevojë në rritje për dekarbonizim të tregut, që i bjen që t’i duhesh me kriju një sistem që me i tejkalu këto probleme. Energjia e ripërtëritshme është një zgjidhje, dhe një prej shtyllave kryesore e cila i dreson se cilat prej këtyre sfidave që tregu jonë përballet me to. Por, kapacitet e reja nuk zhvillohen në shkallë të madhe veç pse ekziston orë me diell ose ka resurse të erës, apo ka mbështetje politike. Ka edhe disa faktorë që duhet me i marr parasysh për me mujt me i mbërri këto kapacitete, e kjo është kur ka kapital financiar i cili implementohet në Kosovë”, shtoi ajo.

Ndërsa Miftar Nika, nga Ministria e Ekonomisë, ka deklaruar se është paraparë rritje e kapaciteteve të reja deri në vitin 2031.

“Në kuadër të kësaj, do të thotë, është paraparë një rritje e kapaciteteve të reja deri në vitin 2031, siç e cekëm edhe më herët, 600 megavat energji solare, 600 megavat nga era dhe 100 megavat prosumer. Ndërsa pjesa e hidro nuk është e trajtuar për shkak se, ku Kosova siç e dini ka burime ose pasuri më të kufizuara të ujërave, dhe është trajtuar më herët, janë ndërtuar ato pjesa e hidrocentraleve më herët. Ku kapaciteti i burimeve të ripërtëritshme tash, do të thotë sillet dikur rreth 300 megavat, ndërsa te prosumerët është diku rreth 34 megavate kapacitet që kanë marrë autorizime, dhe një pjesë e tyre janë të instaluara”, ka thënë ai.

“Sa i përket, do të thotë, kalimit nga mbështetja, do të thotë, më herët siç ka qenë përmes tarifave tash, mbështetja është përmes ankandeve për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, sepse deri në vitin 2021 kanë qenë të mbështetur përmes tarifave, ku ka qenë një çmim i caktuar. Ndërsa tash për shkak të ofertave konkurruese është paraparë, në bazë të direktivës së re dhe ligjit që është transportuar, direktiva e burimeve të ripërtëritshme me ligjin për promovimin e burimeve të ripërtëritshme, edhe është filluar me ankandin, është përgatitur, do të thotë, çështja ligjore edhe është filluar me këtë pjesë, përmes ankandeve. Ankandi i parë ka qenë, ankandi solar që pritet, do të thotë, është në fazën e fillimit të ndërtimit. Është filluar edhe me ankandin e erës, që edhe në këtë pjesë, do të thotë, ka qenë e paraparë diku 100 deri në 150 megavat, mirëpo për shkak të reaksioneve të ndryshme, atëherë është paraparë 50 deri 100 megavat ankandi i erës me qenë i pari, edhe do të vazhdohet, do të thotë, edhe me ankandet e tjera”, deklaroi Nika.

Ai ka treguar se tash burimet e ripërtërishme po trajtohen vetëm përmes ligjit për promovimin e burimeve të ripërtëritshme, e jo siç ka ndodhur më herët përmes ligjit të energjisë.

“Siç e dini edhe më herët, do të thotë, burimet e ripërtëritshme janë trajtuar përmes ligjit të energjisë, energjisë elektrike apo rregullatorit, ndërsa tash trajtohet veçmas vetëm përmes ligjit për promovimin e burimeve të ripërtëritshme. Ndërsa aspekti i lejeve, do të thotë, edhe procedurat e aplikimit, është një udhëzues, udhëzuesi administrativ ku paraqet të gjithë procedurën se si me aplikuar, edhe në cilat institucione çfarë leje me marrë. Për shembull, po marr një shembull te lejet për vetë-konsum, do të thotë, për kapacitetin familjar do të thotë deri në 7 kilovat, ndërsa te bizneset lejohet mbi 7 kilovat”, ka thënë ai.

E profesori dhe përfaqësues i një biznesi privat, Bekim Maloku, ka propozuar krijimin e një kornize kombëtare të nivelit investues për energjinë e ripërtëritshme.

“Si biznes privat propozoj disa gjëra rreth kësaj teme, pra propozoj krijimin e një kornize kombëtare të nivelit investues për energjinë e ripërtëritshme, e cila do të shndërrojë Kosovën në një treg me potencial energjetik, në një destinacion të besueshëm për investime vendore dhe ndërkombëtare”, tha ai.

Maloku ka përmendur edhe sfidat me të cilat po përballet Kosova.

“Sot sfida kryesore nuk është vetëm mungesa e interesimit të investitorëve apo e burimeve natyrore që ekzistojnë në Kosovë, por pasiguria rregullatore, kohëzgjatja e procedurave të lejeve, mungesa e qartësisë për kapacitete të rrjetit, vështirësia për sigurimin e kontratave afatgjatë të shitjes së energjisë, kostoja e lartë e kapitalit për shkak të rrezikut të perceptuar. Këta faktorë e rrisin koston e projekteve”, tha ndër të tjera Maloku. /eo