74% e grave në Kosovë mbeten joaktive, kërkohen politika për fuqizimin në bujqësi

74% e grave në Kosovë mbeten joaktive, kërkohen politika për fuqizimin në bujqësi

Ekonomia September 22, 2026 - 11:39

Fuqizimi ekonomik i grave në bujqësi dhe zhvillimin rural mbetet një nga sfidat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.

Me qëllim të adresimit të pengesave dhe identifikimit të politikave që mund të rrisin pjesëmarrjen e grave në këtë sektor, Instituti Riinvest, në cilësinë e sekretariatit të Forumit Ekonomik të Grave, organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën “Opsionet e politikave për forcimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural përmes angazhimit të grave”.

Në këtë aktivitet, përfaqësues të institucioneve, organizatave vendore dhe ndërkombëtare diskutuan sfidat, mundësitë dhe masat konkrete për fuqizimin ekonomik të grave, me fokus në njohjen e kontributit të tyre në bujqësi, përmirësimin e qasjes në financa, pronë dhe tregje, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje.

Saxhide Mustafa, koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave, tha se joaktiviteti i grave në Kosovë mbetet sipas saj shumë i lartë prej 74%.

“Zhvillimi i bujqësisë konsiderohet një nga sektorët me potencial të zhvillimit ekonomik në Kosovë të konsiderueshëm, ndërsa punësimi në këtë sektor mbetet një problem evident sidomos i të rejave dhe të rinjve. Joaktiviteti i grave ende mbetet shumë i lartë në Kosovë, prej 74%. Punësimi i grave është i përqendruar në sektorë që nuk kanë potencial zhvillimi siç është tregtia, arsimi, shëndetësia, andaj punësimi i qëndrueshëm shihet si një problem për gratë e sidomos për gratë në moshën më të re. Gratë më pak janë të fokusuara në sektorë si prodhimi, qoftë si punëtore apo qoftë edhe si punëdhënëse. Teknologjia, siguria janë veprimtari të tjera. Zhvillimi i sipërmarrësisë së grave po ashtu mbetet ende në nivele të ulëta krahasuar me potencialin human që kemi. Kur kemi më shumë gra në ekonominë e Kosovës, rritet aktiviteti dhe konkurrueshmëria”, ka thënë ajo.

“Studimet e organizatave dhe forumeve ekonomike të grave konstatojnë se zhvillimi i sektorëve ndikon në fuqizimin ekonomik të grave duke e pasur parasysh punësimin e tyre. Por a mjafton që gratë të punojnë në bujqësi për të thënë se janë ekonomikisht të fuqizuara? Sigurisht që jo. Një grua mund të punojë çdo ditë në fermë, të kujdeset për bagëtinë, të përpunojë produktet, të punojë tokën, të kujdeset për familjen dhe në fund të mos ketë të ardhura të saja, as pronë në emrin e saj, as qasje të pavarur në subvencione apo kredi dhe as rol vendimmarrës në biznesin familjar. Analiza që sot prezantohet evidenton shumë qartë një nga problemet kryesore: një pjesë e konsiderueshme e punës së grave në zonat rurale mbetet e padukshme, informale dhe e papaguar. Gratë kontribuojnë në ekonominë familjare, në prodhimin bujqësor, por ky kontribut shpesh trajtohet si ndihmë familjare dhe jo si punë ekonomike që duhet të njihet dhe të paguhet. Kjo situatë ka pasoja afatgjata sepse informaliteti nuk nënkupton vetëm mungesën e kontratës apo të të me të ardhura të rregullta, por trajtim dhe pensionim të dinjitetshëm. Në këtë mënyrë puna e sotme e papaguar mund të shndërrohet në pasiguri ekonomike dhe varfëri në të ardhmen”, ka deklaruar ajo.

“Një çështje tjetër që nuk mund ta ndajmë nga kjo temë e sotme është puna e papaguar e kujdesit. Në mungesë të infrastrukturës gratë në zonat rurale vazhdojnë të mbajnë një barrë shumë të madhe të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit. Kjo kufizon kohën dhe mundësitë e tyre për arsim, trajnim, zhvillim të biznesit dhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Prandaj investimi në kujdes nuk duhet të shihet vetëm si politikë sociale e nevojshme për qendrat urbane ku punësimi dhe mundësitë e punësimit janë më të mëdha, por është domosdoshmëri për zhvillim ekonomik, pjesëmarrje të barabartë të grave dhe të burrave në gjithë territorin e vendit. Një tjetër pengesë mjaft serioze për gratë ndërmarrëse e fermere është qasja në tokë, financa dhe skema mbështetëse. Meqë pronësia private në Kosovë ende nuk është e rregulluar në figurarin e fundit dhe ka shumë probleme, kjo paraqet një pengesë për zhvillimin e ndërmarrësisë së grave”, tha ajo.

Kurse ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Teknologjisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, tregoi për mbështetjen që u ofrohet grave në ndërmarrësi.

“Në ministrinë që drejtoj, mbështetja për gratë ndërmarrëse është pjesë e rëndësishme e aktivitetit dhe objektivave tona programore. Përmes skemave të granteve, në vitet e fundit janë mbështetur 176 biznese në pronësi apo bashkëpronësi të grave, nga këto 55 për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese, 60 për certifikim të produkteve, dhe 69 në fushën e industrializimit. Thënë këtë, prapë është një numër, apo një shifër e vogël, prandaj jemi duke punuar në masat konkrete të cilat do e përshpejtojnë angazhimin e grave në fushën e ekonomisë në përgjithësi, edhe bujqësisë gjithashtu, por edhe me skemat tjera mbështetëse për plasimin, siç u përmend, si një problem përmbajtësor të produkteve, e natyrisht edhe ofrimin e mundësisë dhe hapësirës në tregtim. Kjo është arsyeja që, krahas integrimit të perspektivës gjinore në skemat tona mbështetëse, kemi dizajnuar skemë të dedikuar ekskluzivisht për bizneset në pronësi të grave, e cila tashmë ka përfunduar fazën e aplikimit dhe është në procesin final të vlerësimit”, deklaroi Kusari-Lila.

“Ky është një hap konkret për gratë ndërmarrëse në të gjitha fushat ku ka aktivitet ekonomik. Ndërsa, ministria gjithashtu po punon për zgjerimin e pjesëmarrjes së produkteve të Kosovës edhe në tregjet ndërkombëtare. Prandaj edhe mbështesim pjesëmarrjen e bizneseve, e gjithashtu i inkurajojmë edhe gratë, se bizneset e grave në proceset e aplikimit gjithmonë kanë pikë më tepër, apo në stimulim të drejtpërdrejtë të rritjes së pjesëmarrjes së tyre. Gjatë këtij viti, vetëm kanë qenë pjesëmarrje; kemi pasur pjesëmarrje në 9 panaire ndërkombëtare, ndërsa produkte në tërësi, në total, nga Kosova janë 1,200 që janë promovuar nëpërmes këtyre panaireve. Ne synojmë që, përmes forumeve ekonomike, takimeve B2B, gjithashtu të rrisim pjesëmarrjen e grave ndërmarrëse të cilat promovojnë produktet e tyre, por edhe rrisin rrjetet e bashkëpunimit me bizneset tjera”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa drejtoresha e zyrës së Caritas Switzerland në Kosovë, Astrid Wein, tha se institucioni që ajo drejton ka fokus të veçantë krijimin e mundësive ekonomike për gratë në Kosovë.

“Po, Caritas Switzerland ka pasur një fokus të veçantë në bujqësi dhe në krijimin e mundësive më të qëndrueshme ekonomike për gratë në Kosovë. Fuqizimi ekonomik i grave, dhe do të doja të flisja edhe për fuqizimin në këtë kontekst, është një prioritet dhe objektiv kryesor i strategjisë sonë në vend. Në të gjitha programet tona, programi EREA, që nënkupton Fuqizimin e Ekonomive Rurale në Bujqësi, është një nga projektet tona kryesore, përmes të cilit kemi mundësi të arrijmë te gratë fermere dhe të kontribuojmë së bashku në përshpejtimin e fuqizimit ekonomik të grave. Gratë, siç kemi dëgjuar, kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në bujqësi dhe në ekonominë e përgjithshme. Sa është ky kontribut? Megjithatë, një pjesë e madhe e kësaj pune mbetet e padukshme dhe nuk njihet sa duhet. Përmes programit EREA, kemi dëshmi se gratë mund t’i forcojnë aftësitë e tyre për prodhim dhe për sigurimin e mjeteve të jetesës, kur u ofrohet mbështetje e përshtatshme dhe e përshtatur sipas nevojave të tyre, si dhe mundësi për qasje në treg. Për më tepër, është bërë e qartë se pjesëmarrja e grave në ekonomi, që në rastin tonë nënkupton në bujqësi, ndikohet edhe nga mënyra se si hartohen politikat dhe programet publike. Kemi marrë shumë shembuj këtu dhe mendoj se edhe puna e Agjencisë për Barazi Gjinore, ministrive, si dhe përpjekjet e komunave, për të cilat do të dëgjoni më shumë më vonë, kanë kontribuar në këtë drejtim. Ne duhet të ndërtojmë mbi të gjitha këto përvoja pozitive”, tha ajo. /EO

Image

Image